Kosovë, organizata studentore, monitorim në Universitetin e Prishtinës

12/03/2015 00:00

Organizata studentore “Studim, Kritikë, Veprim” ka bërë një monitorim për mbajtjen e testimeve me shkrim në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, rezultatet e të cilit i vendosën të enjtën para hyrjes së Rektoratit të UP-së.

Nga 14 njësi akademike, në hulumtim janë përfshirë 11 prej tyre, ku janë përmbledhur 1040 lëndë.

Rezultatet e këtij hulumtimi tregojnë se vetëm 367 lëndë ose 1/3 e tyre, zhvillojnë testimeve me shkrim dhe i marrin parasysh ato në vlerësimin përfundimtar.

Në bazë të monitorimit të kryer nga “SKV”, del që Fakulteti i Mjekësisë është fakulteti, ku më së paku shprehet gatishmëria e profesorëve për mbajtjen e testimeve me shkrim.

Nurimshahe Demaliaj, nga organizata studentore “SKV” tha se krahas literaturës voluminoze dhe mungesës së saj, studentët duhet t’i përfundojnë me provime gati të gjitha lëndët, sepse mbajtja e testimeve me shkrim mungon në shumicën e rasteve.

“Përkundër këtij fakti, universiteti po zbret numrin e afateve të provimeve, duke vështirësuar për studentët përfundimin e tyre dhe rrjedhimisht edhe të studimeve. Për ngritje të cilësisë po kërkohet angazhim më i madh i studentëve, por jo edhe angazhim më i madh i profesorëve me studentë, ndaj dhe përfundimisht kemi një universitet të penalizuar dhe profesorë dembelë”, tha Demaliaj.

Për të parë aksionin e studentëve doli edhe vet rektori Ramadan Zejnullahu.

Top Channel