Pas vullkanit, një ishull i ri në jug të Paqësorit

12/03/2015 00:00

Një vullkan nënujor në jug të Paqësorit ka lënë pas shpërthimit një ishull të ri të formuar në Tonga. Ishulli, i cili është 500 metra i gjatë, është formuar nga shpërthimi i vullkanit Hunga Tonga, që nisi prej dhjetorit të vitit të kaluar, dhe ndodhet 45 km në veriperëndim të kryeqytetit të Tongas, Nuku’alofa.

Një shkencëtar tha se ishulli pritet të jetë shumë i paqëndrueshëm dhe tepër i rrezikshëm për vizitorët. Vullkani, emri i plotë i të cilit është Hunga Tonga-Hunga Ha’apai, shpërtheu për herë të dytë gjatë 5 viteve të fundit.

Pamjet filmike të marra nga një varkë, qindra metra larg vullkanit, tregojnë shtëllunga gazi që dalin nga deti dhe ngrihen me shpejtësi në ajër. Ndërsa pamjet satelitore tregojnë pamjet e formacioneve shkëmbore vetëm pak ditë pas shpërthimit të vullkanit dhe pas përfundimit të tij një krater tepër të madh në formë rrethore.

Një rezident i ishullit kryesor të Tongas ka marrë pamje të jashtëzakonshme nga ishulli i ri, edhe duke rrezikuar për të zbritur në sipërfaqen e tij. Gianpiero Orbassano, i cili është pronar i një hoteli në Tonga, udhëtoi drejt ishullit me dy miq të tij dhe tha se së shpejti do të bënte një tjetër udhëtim.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel