Debate në Kuvendin e Kosovës, në shënjestër kreu i Kushtetueses

12/03/2015 00:00

Mënyra e funksionimit të Këshillit prokurorial të Kosovës, politizimi i Gjykatës Kushtetuese, emërimi i një rruge në Kosovë me emrin “Sllobodan Millosheviç” dhe hetimet për SHIK-un ishin vetëm disa nga temat, që u hapën të enjten në seancën e Kuvendit të Kosovës.

“Fillimi i procedurave të Ranillugut, që rruga të mbajë emrin e njeriut të të gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, kriminelit të gjykuar në Hagë, apo njeriut që në Kosovë urdhëroi vrasjen e mbi 10 mijë qytetarëve, pra “kasapin” e Ballkanit, padyshim që është provokim i qëllimtë për të arritur cakun politik, që është destabilizimi i vendit. Në një mjegull të tillë lind dyshimi, mos po arrijnë diçka për të përfituar padronët në Beograd”, tha Xhevahire Izmaku, deputete e PDK-së.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu akuzoi kryetarin e Gjykatës Kushtetutese, Enver Hasani, për politizim të skajshëm të këtij institucioni, ndërsa kritika adresoi edhe në drejtim të Këshillit prokurorial dhe gjyqësor, që e kanë dorëzuar sistemin në duar të politikanëve.

“Nga ana tjetër, Enver Hasani, ai që drejtoi për kaq vjet Gjykatën Kushtetutese, institucionin që do të duhej të ishte një lavdi e madhe për secilin jurist në Kosovë apo i çdo qytetari, sot është personi që shënon nivelin më të ulët moral profesional dhe njerëzor. Nuk ka rast të rëndësishem, që është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese, e që nuk u është shkruar zyrave të kabinetit kryeministrit të dikurshëm Thaçi. Nuk ka rast me peshë për kosovën, që ky person, ky gjyqtar me emrin Enver Hasani, nuk ka mbajtur anë kundrejt drejtësisë dhe kundër Kosovës”, tha Albulena Haxhiu, deputete e Vetëvendosjes.

Duke u përgjigjur në pyetjet parlamentare, kryeministri Isa Mustafa tha se ka kërkuar nga Federica Mogherini, që në kuadër të dialogut me Serbinë të diskutohet edhe për fatin e të zhdukurve të luftës. Kryeministri u pyet edhe për arsyen e futjes së Trepçës në ligjin për ndërmarrjet publike, si dhe nëse “Lista Serbe” ka vënë kushte për t’u kthyer në jetën institucionale.

“Kemi hapur çështjen e të pagjeturve, e cila është një çështje që domosdoshmërisht duhet të diskutohet, jo vetëm që t’u japim përgjigje familjeve, të cilat i presin ata, por është një çështje që duhet të marrë përgjigje. Do të vazhdojmë edhe më tutje të gjitha takimet që kemi. Mogherini do të vijë këtë muaj dhe do ta shtrojmë këtë çështje, që të jepet një përgjigje për të. Unë kam kërkuar nga ministrat e Listës, që të vijnë dhe ta diskutojmë. Kanë paralajmëruar që do të vijnë të bisedojmë, por nuk kanë ardhur. Kushte nuk kemi për ta, vlejnë kushtet e njëjta për të gjithë. Kushte nuk pranojmë, sepse nuk mundemi që për një komunitet të caktuar të aplikojmë kushte të tjera nga një komunitet tjetër, konkretisht për serbët ndryshe dhe për shqiptarët ndryshe”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Deputetja e AAK-së, ndërkaq, riktheu kohën e para luftës, kur Isa Mustafa në cilësinë e ministrit në Qeverinë në ekzil, kishte qenë përgjegjës për kontribuesit me të holla të diasporës kosovare.

“Në kujtesën kolektive të qytetarëve tanë, korrupsioni daton shumë herët dhe nis me fondin e 3 përqindëshit, për të cilin ju keni qenë përgjegjës. Kemi të dhëna se në procesin e themelimit të Gjykatës Speciale jeni duke negociuar që ky fond të mos hetohet, të mos jetë pjesë e këtyre hetimeve, të cilat kanë nisur të hetohen. A jeni i gatshëm që ta lejoni drejtësinë të merret me hetimin e këtij fondi, që të bëhet transparent?”, pyeti Donika Kada Bujupi, deputete e AAK-së.
Hetimi për veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Kosovës është një temë e vjetër tashmë në Kuvendin e Kosovës, por që deputetët, me gjithë nismat e ndërmarra, ende nuk kanë mundur ta themelojnë komisionin që do ta kryente këtë punë.

Top Channel