Pas diplomimit në “La Sapienza”, braktisën Romën për Rubikun

12/03/2015 00:00

Diplomat me rezultate të shkëlqyera të “La Sapienza”-s aktualisht nuk po i shërbejnë dhe aq Rigerta Lokut, vajzës nga Mamurrasi, e cila pas diplomimit në një prej universiteteve më të mira të Europës, tashmë jetën e ka të lidhur me këtë fermë kafshësh.

Leksionet e marra për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare i ka lënë mënjanë për momentin, pasi me bashkëshortin Leonard Tushën, rikthimin në Shqipëri e kanë lidhur me këtë aktivitet privat blegtoral.

Prej afro 5 vitesh, kursimet dhe koha e tyre janë investuar në fshatin Rrushkull të Rrëshenit. Që të dy ata janë rritur në qytet, pa menduar se një ditë do të kishin në pronësi dhe do të menaxhonin më shumë se 400 krerë bagëti. Dhe duket se janë ambientuar më së miri.

Në nismën e tyre janë përfshirë edhe prindërit e Leonardit, të cilët vendimin e kthimit në Shqipëri të djalit dhe nuses e kanë mirëpritur së tepërmi.

“Isha dakord plotësisht me gjithçka që thoshin këta. Edhe sikur të ishte keq, unë do ta aprovoja”, thotë i ati i Leonardit.

“Erdhën këtu dhe filluan nga ‘A’-ja me thënë të drejtën, iu regulluam gjithçka dhe jemi në krah të tyre. Sa më shumë që t’i lehtësojmë, aq më mirë. Ishte fillimi jo vetëm për ta, por edhe për ne, sepse kishim jetuar për 42 vite në qytet”, thotë e ëma e Leonardit.

A ka qenë i gabuar kthimi i tyre?

“Asnjëherë. Do të vuajnë, do të mësohen me punë, por nuk do të heqin keq në jetë. Më mirë sesa këtu nuk ka. Me vështirësi, por është djersë dhe djersa është e ëmbël”, thotë më tej i ati.

E ndërsa puna u merr një pjesë të mirë të angazhimeve, dita për Rigertën dhe Leonardin mbyllet me atmosferën e ngrohtë familjare, në shoqërinë e vogëlusheve Luna dhe Lea, një tjetër investim i jetës së tyre, më i rëndësishmi.

Top Channel