Sirte, kryeqendra e ISIS. “NYT”: Nuk është zgjedhje rastësore

13/03/2015 00:00

Shteti Islamik duket se ka gjetur një tjetër strehë të sigurt, këtë herë qytetin port, Sirte i cili shtrihet pranë brigjeve të detit Mesdhe.

Një analizë e “New York Times” hedh dritë më tepër mbi qytetin, për të cilin shumë pak ishte dëgjuar deri në momentin që ISIS për një kohë shumë të shkurtër arriti të themelonte një pikë të fortë mbështetjeje për kalifatin.

Sipas burimeve xhihadistët tanimë dominojnë thuajse tërësisht zonën, duke gjetur të papërgatitura edhe brigadat libiane, disa prej të cilave janë shpërngulur nga terrori.

Sipas analizës së “New York Times”, qyteti i Sirte-s nuk është një përzgjedhje jo rastësore, pasi ISIS po krijon një terren të sofistikuar dhe me perspektivë. Departamenti amerikan i Energjisë raportoi se rreth 80% e rezervave të naftës në Libi janë në Sirte, e cila si rrjedhojë ka edhe shumicën e prodhimit të naftës në vend.

ISIS ka nisur edhe tregtinë e arit të zi. Por kjo ka rritur edhe friken e investitorëve të huaj, të cilët janë përballë presionit perëndimor për sanksione, në rast se kapen në flagrancë duke bërë tregti me ISIS. Së dyti, prestigjiozja “Neë York Times” kujton se xhihadistët prej kohësh kanë paralajmëruar që Lindja e Mesme nuk është objektivi i tyre i vetëm. Me anë të postimeve në rrjete sociale , xhihadistët janë shprehur se flamuri i tyre do të ngrihet në çdo cep të botës. Me përshkallëzimin e konfliktit atje, ISIS po i afrohet më tepër në distancë Europës. Deti Mesdhe është ai që e ndan qytetin e Sirte-s nga pjesa jugore e kontinentit të vjetër.

Kontrolli i ISIS mbi një qytetet port, i jep kalifatit shumë avantazhe, duke treguar se çdo lëvizje e tyre është mbi bazën e një strategjie të mirë-menduar.

Top Channel