Samsung prezanton “Galaxy Xcover 3”, telefoni që mund të rezistojë në kushte ekstreme

13/03/2015 00:00

“Galaxy Xcover 3” është telefoni i pathyeshëm i prezantuar nga Samsung, i cili për nga cilësitë është vërtetë i veçantë dhe mund t’i rezistojë kushteve ekstreme.

Telefoni inteligjent, me një ekran 4.5 inç, ka marrë certifikimin MIL-STD-810G që siguron për një mbrojtje më speciale ndaj kripës, pluhurit, lagështisë, shiut, vibrimeve, rrezatimit solar, transportit dhe shokut termik.

Smartphone i ri i Samsung ka një procesor quad-core me shpejtësi 1.2 GHz, RAM 1.5 GB, hapësirë të brendshme 8 GB,  e cila mund të zgjerohet nëpërmjet kartës microSD, kamera të pasme 5 megapixel e aftë për të regjistruar foto edhe nën ujë, kamerë ballore 2 megapixel dhe bateri me kapacitet 2,200 mAh.

Në prezantim është bërë e ditur se “Galaxy Xcover 3” mund të rezistojë nën ujë për 30 minuta në një thellësi prej 1 metër.

Samsung pritet të zbulojë më shumë detaje gjatë javës së ardhshme në lidhje me telefonin e ri.

Top Channel