Ballkani, bashkë kundër xhihadizmit. Meta: Ka ikur koha e nacionalizmave

13/03/2015 00:00

Nënshkrimi në Tiranë i rezolutës së përbashkët të vendeve të SEECP-së në dënimin e krimeve të ISIS-it dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, është pasuar me një tjetër aktivitet të vendeve të Europës Juglindore në vendin tonë, që mban edhe Presidencën e radhës së kësaj organizate.

Krerët e komisioneve të Politikës së Jashtme të 12 vendeve të organizatës së Europës Juglindore kanë vënë theksin te sfidat e përbashkëta, ku bashkëpunimi mes shteteve, si kundërpërgjigje për kërcënimin që vjen nga vendet në luftë, prej kohësh është vendosur të krye të agjendës rajonale, pas përfshirjes në luftën e xhihadit edhe të luftëtarëve nga Ballkani Perëndimor.

“Çështja e ushtarëve të huaj ka marrë vëmendje të veçantë nga autoritetet tona, por gjithashtu ajo kërkon edhe adresimin dhe politika ekonomiko-sociale për të shmangur rastet e joshjes për shkak të varfërisë”, tha Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm.

“Koha e politikave të vjetëruara dhe nacionalizmave destruktive ka kaluar tashmë në Ballkan. Sot ka trokitur ora e përqasjes pragmatiste, duke shembur barrierat administrative e duke hapur rrugët e zhvillimit ekonomik, që për rrjedhojë do të sjellë më tepër mundësi punësimi për qytetarët tanë, e më tepër prosperitet e stabilitet për të gjithë”, tha Ilir Meta, kreu i Kuvendit të Shqipërisë.

E megjithë nevojën për përqasjen pragmatiste të nënvizuar nga kryeparlamentari, për ministrin e Jashtëm, rajoni ende nuk është realisht i tillë nga pikëpamja e bashkëpunimit jo vetëm ekonomik, por edhe politik e veçanërisht në përgjigje të sfidave të sigurisë.

Në krizën ukrainase vetëm Shqipëria dhe Mali i Zi njehsuan qëndrimet e tyre me BE-në – theksoi Bushati, – në ilustrim të deklarimit për një qasje jo të barabartë të vendeve të tjera të rajonit për atë, që ai quan arkitektura e sigurisë në Ballkan, ku përveç Shqipërisë, vendet e tjera vijojnë ende të jenë jashtë dyerve të NATO-s.

“Nga ky këndvështrim, rajoni i Ballkanit Perëndimor mbetet një mozaik procesesh të ngrira, me mosmarrëveshje dhe problematika të trashëguara, si dhe çështje të pazgjidhura në marrëdhëniet dypalëshe. Këto për fat të keq ndikojnë në jetën e përditshme të qytetarëve tanë dhe rrezikojnë të ardhmen e tyre, por edhe atë që kemi arritur deri më sot bashkërisht”, tha Ditmir Bushati, ministër i Jashtëm.

Integrimi i Ballkanit në BE
SEECP: Të integrohemi më parë brenda rajonit

Për Ballkanin Perëndimor, që emëruesin më të fortë të përbashkët ka integrimin, u shpreh vetëdija se vetëm integrimi brenda vetes do të garantonte përparimin drejt BE-së, sikundër prej kësaj të fundit nuk duhet të vijnë mesazhe lodhjeje nga zgjerimi. Për Ditmir Bushatin kjo nuk do të motivonte zhvillimin në vendet tona, ndërsa Klajda Gjosha ra dakord me bindjen e kryeministrit Rama.

“Europa ka nevojë për Shqipërinë dhe gjithë Ballkanin Perëndimor, për të qenë një kontinent i plotësuar dhe i sigurt, që i ofron qytetarëve të saj një shtyllë të fortë vlerash dhe mundësish”, u shpreh ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha.

“Nuk po kërkojmë shtigje më të shkurtra në këtë rrugëtim, por këmbëngulim për një trajtim të esëllt, duke përfshirë një qasje gjeostrategjike të rajonit tonë dhe gatishmëri të secilit prej vendeve tona për të kontirbuar në stabilizimin e sigurinë e Europës Juglindore”, përmbylli ministri Bushati.

Top Channel