Grabitën me dhunë 1 milion lekë në banesë. Organizatori, fqinj i kreut të komunës Bubq, në kërkim

13/03/2015 00:00

Pas grabitjes së kryer në shtëpinë e kryetarit të komunës së Bubqit, Qemal Daci, Drejtoria e Policisë në Durrës ka njoftuar goditjen e një grupi kriminal nga Laçi, të dyshuar për grabitjen me armë.

Në pranga janë vënë 3 nga të dyshuarit, ndërsa është shpallur në kërkim organizatori i kësaj grabitjeje, që sipas policisë, rezulton të jetë fqinj me kryetarin e komunës, me të cilin kohët e fundit ka pasur dhe konflikte për motive të dobëta.

Në orët e para të mëngjesit të së premtes, policia e Durrësit ka arrestuar 3 banorë të Laçit, shtetasit Fatjon Korriku 23 vjeç, person me precedent penal, i sapoliruar nga burgu dhe i dënuar për “vjedhje”, F.H. 17 vjeç, dhe Fatjon Dani 18 vjeç.

Natën e së enjtes, rreth orës 20:22, në fshatin Bubq të Krujës 4 persona janë futur për të vjedhur në vilën e kryetarit të komunës Qemal Daci. Pasi kanë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, duke e lidhur me fasheta makinash në duar dhe me tel telefoni në këmbë, kanë arritur të hyjnë në banesë e të grabisin në katin e dytë të saj një shumë prej 1 milion lekësh.

Grabitësit kanë qenë të maskuar dhe dy prej tyre dhe të armatosur me automatikë. Shtetasi Fatjon Korriku dyshohet se ka qenë duke ruajtur, brenda në makinën tip “Peugeot”, ngjyrë blu, me xhama të errët dhe pa targa, territorin jashtë banesës, teksa bashkautorët e tjerë kryenin grabitjen.

Policia deklaroi se janë sekuestruar dy automjetet e përdorura në grabitje, ndërsa shërbimet e policisë kanë ngritur pika kontrolli në Maminas dhe Ishëm, për kapjen e organizatorit të vjedhjes me dhunë.

Top Channel