Obama dënon të shtënat në Ferguson, plagosën dy policë

13/03/2015 00:00

Për presidentin amerikan Barack Obama, aktet kriminale në Ferguson të Missourit nuk kanë asnjë justifikim. Shefi i Shtëpisë së Bardhë i bëri këto komente pas plagosjes së dy efektivëve të policisë, gjatë protestës së dy mbrëmjeve më parë.

Demonstruesit, sipas Obamës, kishin të gjithë të drejtën të vajtonin, por jo të kalohej në akte dhune. Ata që shtinë mbi policët janë kriminelë, e si të tillë vendin e kanë prapa hekurave, u shpreh presidenti amerikan.

“Mendoj se ngjarjet e Fergusonit kanë qenë të rënda e të kundërshtueshme, e për rrjedhojë, edhe të vlefshme për protestë. Por nuk ka asnjë justifikim për aktet kriminale. Kushdo qoftë që hapi zjarr atë natë, nuk duhet trajtuar ndryshe përveç se si kriminel”, tha Obama.

Pasditen e së mërkurës, në qytetin e trazuar pati një tjetër tubim, këtë herë mjaft paqësor. Sa për dy efektivët e plagosur, ata kanë dalë tashmë nga spitali.

Protestat e këtyre ditëve janë të fundit të valës së demonstratave, që pasuan vrasjen e adoleshentit të paarmatosur afro-amerikan Michael Brown, vitin e kaluar, nga një polic i bardhë.

Shefi i policisë së qytetit, Thomas Jackson dha dorëheqjen pas publikimit të një raporti të Departamentit të Drejtësisë, ku hidheshin akuza për paragjykime racore si në sektorin e drejtuar prej tij, ashtu edhe në sistemin gjyqësor të Fergusonit.

Tensionet atje kanë qenë të larta që prej muajit gusht, por patën një përshkallëzim të ndjeshëm në nëntor, kur juria që shqyrtoi çështjen vendosi të mos ngriheshin akuza ndaj oficerit Darren Wilson për vrasjen e 18-vjeçarit Brown.

Top Channel