Assange, Suedia bën prapaktheu: Jemi gati ta pyesim në Londër

13/03/2015 00:00

Nëse Julian Assange nuk shkon në Suedi, atëherë shkon Suedia tek Assange. Prokurorët suedezë janë ofruar të udhëtojnë drejt Londrës për të marrë në pyetje themeluesin e Wikileaks-it në lidhje me akuzat e agresionit seksual.

Arrestimi i 43-vjeçarit australian kërkohet që prej 2010-s. Deri tani ishte këmbëngulur që ai të merrej në pyetje në Suedi, por Assange jeton prej tre vjetësh në Ambasadën e Ekuadorit në kryeqytetin britanik dhe nuk del prej andej.

Njeriu që shkaktoi furtunë në mbarë botën me nxjerrjen e komunikimeve të fshehta qeveritare amerikane, druhet se po ta çojnë në Stockholm mund të ekstradohet në Shtetet e Bashkuara, ku do të përballet me akuzat e publikimit të dokumenteve sekrete.

Një avokat i Assange, Per Samuelson, e mirëpriti këtë ofertë të fundit. “Kjo është diçka që ne e kemi kërkuar për mbi 4 vjet”, tha ai për agjencinë e lajmeve “Associated Press”.

Një prokuror suedez shpjegoi këtë ndryshim strategjie, duke thënë se akuzat potenciale ndaj Assange mund të skadojnë bazuar në statutin e kufizimeve, në gusht.

“Mendimi im ka qenë gjithmonë se, të zhvillohet një diskutim apo marrje në pyetje me të në Ambasadën ekuadoriane në Londër do të ulte nivelin cilësor të hetimit, por edhe se ai do të duhet të jetë i pranishëm në Suedi, në çdo rast nëse do të hapet një proces gjyqësor ndaj tij në të ardhmen”, tha prokurorja udhëheqëse Marianne Ny.

“Por tani që koha është çështje thelbësore, e kam parë gjithsesi të arsyeshme që të pranojmë një devijim të tillë në hetime, e sigurisht të marrim përsipër rrezikun që intervista të mos e çojë përpara këtë çështje”.

Top Channel