Tensionet mes Koreve, Veriu lëshon raketa në det në shenjë force

13/03/2015 00:00

Mes tensioneve të reja në gadishull, Korea e Veriut lëshoi në det si paralajmërim 7 raketa tokë-ajër. Episodi vjen në ditën e fundit të stërvitjes së përbashkët ushtarake të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Eventi i përvitshëm, të cilin Peniani e përshkruan si “prova gjenerale për pushtim”, ka sjellë gjithmonë tendosje të situatës mes dy Koreve. Kundërshtinë e tij ndaj manovrave, vendi komunist e tregoi edhe në çeljen e stërvitjes këtë fillimmuaji, kur lëshoi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Udhëheqësi Kim Jong-un besohet të ketë qenë i pranishëm në momentin e lëshimit të raketave, këtë të premte, të nisura nga brigjet lindore të vendit. Korea e Jugut bën të ditur se raketat ishin të tipit SA-2 apo SA-3, me rreze prej “disa kilometrash”, ashtu sikurse dhe një SA-5, me rreze veprimi prej 200 km.

Ndërsa në median koreano-veriore nuk ka pasur asnjë raport për testime, një zëdhënës i qeverisë së Jugut tha për “AFP” se “e shohim këtë veprim si një tjetër shfaqje force të Veriut kundrejt stërvitjes së përbashkët tonën me SHBA-të”.

Top Channel