Moratoriumi i gjuetisë, fauna merr “frymë”. Pritet të shtyhet më tej

13/03/2015 00:00

Nga Laguna e Karavastasë, kryeministri Rama tha se falë vitit të parë të zbatimit të moratoriumit të gjuetisë, fauna në këtë zonë, por dhe shumë zona të tjera të vendit, po i nënshtrohet një procesi ripërtëritjeje.

“Edhe vetë dhelpra, me gjithë zgjuarsinë e vet, siç na e kanë treguar kur ishim të vegjël, nuk i kishte shpëtuar dot këtyre barbarëve, duke u shfarrosur me mbi 30%. E gjetëm popullatën e faunës së egër në një minimum kritik. Aq sa duket padrejtësi t’u thuash të egër këtyre, që jetojnë në formën e zogjve apo kafshëve të tjera, dhe t’u thuash të butë atyre që i vrasin, e që janë me dy këmbë si puna jonë”, tha kryeministri Edi Rama.

Në një kohë kur mund të popullohej me turistë – vijoi më tej Rama, – kjo zonë u popullua me gjahtarë, të cilët – siç u shpreh ai – duhet të shtyjnë edhe për disa kohë ëndrrën për të vrarë shpendë. Për këtë arsye, kryeministri ftoi qytetarët ta shohin procesin të lidhur ngushtë me ekonominë e vendit dhe potencialin për zhvillim të turizmit natyror.

Ministri Koka tha se, përtej skepticizmit, pas vitit të parë të moratoriumit situata ka ndryshuar.

“Rezultati është spektakolar dhe kjo besoj se është ndër punët më të mira, që ka bërë Qeveria shqiptare”, tha Lefter Koka.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Donald Lu.

“Jam shumë i lumtur, që sot nuk duhet të flasim për politikë, por për një temë kaq të rëndësishme, për mbrojtjen e kafshëve të egra. Ky moratorium është shembull mbresëlënës për mënyrën sesi qeveria punon me banorët vendas për mbrotjen e ekosistemit”, tha Donald Lu.

Moratoriumi është vendosur për një periudhë 2-vjeçare, por mesa duket palët kanë rënë dakord që të shtyhet përtej këtyre viteve.

Top Channel