MEI: Nis miratimi i lejeve për rrugët hyrëse të projektit të gazsjellësit TAP

13/03/2015 00:00

Ministria e Energjisë dhe Industrisë (MEI) ka nisur fazën e shqyrtimit dhe miratimit të Lejeve Zhvillimore Komplekse për rrugët hyrëse të projektit të gazsjellësit TAP.

Burime zyrtare të Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë thanë se, në mbledhjen e fundit të Komisionit të Shqyrtimit u trajtuan disa nga aplikimet e Kompanisë TAP AG, të adresuara në MEI, për marrjen e dokumentit të Lejes Zhvillimore Komplekse për rrugët hyrëse (ndihmëse) të cilat do të shërbejnë për transportimin e pajisjeve, mjeteve të punës dhe teknologjisë për ndërtimin e gazsjellësit.
 
Aplikimi i paraqitur në MEI nga Kompania TAP AG përfshinte në mënyrë të detajuar si dokumentacionin teknik për 19 rrugë hyrëse të projektit TAP, ashtu edhe dokumentacionin: administrativo-ligjor të aplikantit, lejet e dhëna nga Institucionet publike shqiptare për Projektin TAP në tërësi dhe për rrugët e kalimit në veçanti, licencat profesionale të shoqërive projektuese si dhe oponencën teknike të kryer nga Instituti i Ndërtimit për projektet teknike të rrugëve të kalimit.
 
Të njëjtat burime shpjeguan se, Komisioni i Shqyrtimit u shpreh dakord për miratimin e katër lejeve të para për rrugët hyrëse. Ndërkohë, duke qenë se ende nuk është kompletuar procesi i marrjes në pronësi ose në përdorim të tokave ku do të ndërtohen këto rrugë hyrëse, pavarësisht kohës së marrjes së dokumentit të LZHK, kjo leje do të bëhet efektive vetëm pas paraqitjes nga kompania TAP AG të informacioneve dhe të dhënave për marrëdhëniet e pronësisë për sipërfaqet e tokave që do të ndikohen nga ndërtimit i rrugëve hyrëse për projektin TAP, vlefshmëria e të cilit do të konfirmohet zyrtarisht nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë.
 
Aktualisht, Kompania TAP AG është në fazën e marrjes së lejeve të nevojshme për punimet e ndërtimit mbi bazën e projekteve konstruktive të përgatitura për rrugët hyrëse (ndihmëse) dhe pritet që në periudhën maj/qershor të fillojë procesi i ndërtimi të këtyre rrugëve, si dhe Urave të cilat do të shërbejnë në ndërtimin e gazsjellësit Trans-Adriatik (Projekti TAP).
 
Rrugët hyrëse në përgjithësi fillojnë si devijim i rrugëve nacionale apo komunale kryesisht me shtrirje në Qarkun Berat dhe në Qarkun Korçë, dhe më pak në Qarkun Fier, dhe në total gjatësia e rrugëve që do të ndërtohen, pjesë e kësaj dosjeje aplikimi është rreth 100 kilometra.
 
Rrugët janë projektuar të kenë një gjerësi 5 metra dhe me dy bankina të paktën dy me nga 0.75 metra. Disa prej këtyre rrugëve do të shtrohen edhe me asfalt, ndërsa një pjesë do të shtrohen deri në shtresë zhavorri të imët. Pjesë e kësaj pakete të parë aplikimi të kompanisë TAP AG janë edhe dy ura.
 
Rrugët hyrëse të Projektit TAP janë planifikuar të ndërtohen në një sipërfaqe të përgjithshme prej 817,404.1 m2 (rreth 82 ha). Kostoja totale e investimeve te këtyre rrugëve te reja dhe urave është rreth 31,3 milionë euro.

Top Channel