PD: Rama-Meta po bëjnë estradë

13/03/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit, Meta, se po e shndërrojnë hetimin e çështjes “Doshi” në estradë, si mënyra më e mirë për t’iu shmangur përgjegjësive. Deputeti Arben Ristani tha se, me Metën kryetar Kuvendi, Prokuroria nuk mund të jetë kurrë e lirë të hetojë.

“Edi Rama dhe Ilir Meta koordinuan dje një sulm të ri ndaj Prokurorisë, në përpjekje për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën, për akuzën e porositjes së vrasjes së dy deputetëve, duke keqpërdorur një aktor “Portokallie” për çështjen më serioze dhe më të mprehtë të politikës dhe shtetit, në 25 vitet e fundit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Ristani.

Sipas Partisë Demokratike, publikimi i videos humoristike në “Facebook”-un e kryeministrit Rama dhe më pas paraqitja e deputetit të LSI-së, Spartak Braho, në Prokurori, i shoqëruar nga aktori i humorit, është një presion ndaj drejtësisë.

“Edi Rama po i kërkon Prokurorisë ta trajtojë çështjen si barsaletë dhe t’i japë asaj një fund komik, edhe pse bëhet fjalë për një nga akuzat më të rënda të Kodit Penal, siç është bashkëpunimi në tentativë për vrasje. Dërgimi i estradës te porta e drejtësisë është një bashkëpunim i ri i Edi Ramës dhe Ilir Metës, për të mbyllur hetimin dhe fshehur të vërtetën”, shtoi më tej Ristani.

Duke mos hequr dorë nga kërkesa për largimin  e kryetarit të Kuvendit, Partia Demokratike i bëri thirrje kryeministrit të heqë dorë nga presionet ndaj Prokurorisë.

“Populli është në këmbë, e do të jetë edhe më i bashkuar në protestën e ardhshme, derisa Ilir Meta të largohet. Edi Rama do të ketë të njëjtin fat, nëse vazhdon të bashkëpunojë, për të ndikuar hetimin e plotë dhe të pavarur, në favor të skenarit mafioz”, përfundoi Arben Ristani.

* Një ditë më parë, ngjarjet e fundit në politikën shqiptare, me akuza e kundërakuza për tentativë vrasjesh, i komentoi edhe aktori i Portokallisë, Bes Kallaku… sipas mënyrës së tij! Në videon e publikuar nëpër rrjete sociale, aktori shfaqet në rolin e vrasësit të paguar për ‘të hequr qafe’ (me humor) shumë emra në politikën shqiptare, si majtas ashtu edhe djathtas, ku nuk mungojnë as udhëheqësit e të dy kampeve. Videoja është shpërndarë edhe nga vetë Kryeministri Edi Rama në Facebook, shpërndarje që ka tërhequr menjëherë komentin thumbues të Besit. “Edhe statuset po na vidhni. E ç’e rropët kët popull”.

Top Channel