Greqia, Juncker i pakënaqur me zvarritjet, por ka ende shpresë për zgjidhje

13/03/2015 00:00

Jean-Claude Juncker është i pakënaqur me zvarritjet në çështjen e Greqisë e faktin që dorëzania po ha shumë kohë. Përpara bisedimeve në Bruksel me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, presidenti i Komisionit Europian e tregoi qartë se nuk i pëlqen aspak progresi i ngadaltë në raport me aprovimin e reformave, që Athina duhet të ndërmarrë në këmbim të zgjatjes 4-mujore të huasë.

Por dështimin e bisedimeve e përjashton, e shprehet i bindur se një rrugëdalje do të gjendet, ndërsa dalja e Greqisë nga zona e euros do të shmanget, pavarësisht faktit që ky skenar po fiton gjithmonë e më shumë popullaritet në radhët e gjermanëve.

“Nuk jam i kënaqur me zhvillimet e javëve të fundit. Megjithatë kam disa propozime për mikun tim Alexis”, tha Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Europian.

Kreditorët ndërkombëtare kanë kërkuar nga Greqia reforma ekonomike, në këmbim të përdorimit të 7,2 miliardë eurove të mbetura nga paketa e ndihmës. Sipas zyrtarëve europianë, propozimet e paraqitura deri tani nga Athina janë të pamjaftueshme.

Megjithatë, Tsipras, që në pushtet erdhi pikërisht me zotimin për t’i dhënë fund masave të rrepta antikrizë, këmbëngul se vendi i tij ka nisur t’i përmbushë kushtet e dorëzanisë.

“Ne e bëmë pjesën tonë, – u shpreh kreu i ekzekutivit grek, pas takimit me presidentin e Parlamentit Europian, Martin Schulz. – Tani presim që partnerët tanë të bëjnë punën e tyre”. Greqia ka marrë që prej vitit 2010 dy dorëzani prej 240 miliardë eurosh, për të qenë në gjendje të shlyejë detyrimet e borxhit e për të shmangur falimentimin.

Top Channel