Tiranë, rrugët në gjendje të mjerë. Bashkia akuzon qeverinë: Na ka bllokuar fondet

13/03/2015 00:00

Gjendja e rrugëve në Tiranë po përkeqësohet në mënyrë të vazhdueshme. Gropa të stërmëdha u shfaqen befas drejtuesve të automjeteve, teksa përshkojnë jo vetëm rrugët në periferi të Tiranës, por edhe ato në qendër të saj. Pa llogaritur më pas rrugët e lagjeve, ku situata është edhe më e rëndë.

“Ku dija gjë unë se ishte gjithë ajo gropë aty në mes”, thotë një drejtuesi automjeti.

“Shumë vështirë për të kaluar mes këtyre gropave, është kthyer e gjithë Tirana me gropa”, është shprehur një tjetër shofer mjeti.

“Shumë keq ishte rruga, bli makinë kot, sepse gjithë këto gropa ta shkatërrojnë. Kështu janë bërë të gjitha rrugët e Tiranës, duhet të ecësh gjithmonë me të parin dhe me kujdes te freksioni”, tha një tjetër banor i kryeqytetit, përdorues mjeti.

Prej vitesh në rrugët e Tiranës nuk shikon askënd të merret me mirëmbajtjen e tyre, që nga koha kur ato u rikonstruktuan. Disa gropa janë shkaktuar nga mosmirëmbajtja, ndërkohë të tjera janë shkaktuar edhe nga ndërhyrjet e qytetarëve, të cilët kryejnë punime për interesa individuale, duke hapur ndonjë kanal dhe e lënë ashtu. Por edhe vetë ndërmarrjet e Bashkisë, kur kryejnë punime nuk riparojnë dëmet që shkaktojnë.

Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, këtë gjendje ia faturon kryeministrit Rama.

“Kryeministri Edi Rama vazhdon politikën e bllokimit të investimeve ndaj qytetarëve të Tiranës. Përveç projekteve strategjike, Edi Rama ka urdhëruar edhe bllokimin e investimeve në rrugë, blloqe banimi, shkolla, kopshte e çerdhe. Pasi bllokoi çdo investim në vitin 2014, përmes bllokimit të buxhetit, i cili u zhbllokua vetëm me vendimin e gjykatës, këtë vit Edi Rama ka urdhëruar thesarin, Ministrinë e Financave, të kthejë pas e të bllokojë 39 projekte që lidhen me rikualifikimin urban, rindërtim rrugësh, rikonstruksion, rindërtim shkollash, kopshtesh e çerdhesh”, deklaroi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo.

Bozdo numëroi 26 rrugë, te të cilat nuk është ndërhyrë për shkak se nuk kanë fonde. Ndërkohë që ai akuzoi kryeministrin se, me bllokimin që po u bën projekteve të Bashkisë, ka penguar jo vetëm investimet në rrugë, por dhe për sitemin e ngrohjes në shkolla, kopshte dhe çerdhe të kryeqytetit.

Top Channel