Aksion antiduhan në Vlorë, merren masa administrative

13/03/2015 00:00

Inspektoriati Shëndetësor ka zhvilluar gjatë së premtes një aksion në qytetin e Vlorës, kryesisht për të parë në terren zbatimin e ligjit antiduhan. Në një aksion të përbashkët me Inspektoriatin e Fierit dhe të Vlorës, puna e tyre është përqendruar këtë të premte në të gjitha lokalet ku zakonisht pihej duhan.

Gjatë aksionit janë vendosur dy gjoba në qytetin bregdetar me vlerën e 300 mijë lekëve secila, ndërkohë që sipas kreut të Inspektoriatit të Vlorës, Ilirian Muço, gjobat janë në përputhje me ligjin, pra 5 mijë lekë për konsumatorin dhe 300 mijë lekë për pronarët e bizneseve.

Sipas kryeinspektorit të Vlorës, Ilirian Muço, ka pasur edhe kundërshtime nga pronarë të këtyre lokaleve, por Inspektoriati ka qenë i vendosur dhe është i destinuar të luftojë duhanpirjen në ambiente të mbyllura, gjithashtu të mbrojë jokonsumatorët nga duhanpirja.

Top Channel