Hapja e dosjeve, ish-të përndjekurit para deputetëve; diskutohen dy draftet

13/03/2015 00:00

Debati sesi duhet të hapen qindra mijëra dosje të sigurimit të shtetit, duke u përqendruar tek dy projektligjet, ai i qeverisë dhe ai i shoqërisë civile, ka sjellë në komisionin e të drejtave të njeriut dëshmi rrënqethëse.

“Ne kërkojmë më të thjeshtën: 1.500 vetë sa jemi, kush del në pension të ketë pension të veçantë. Artistëve, që kanë kënduar e kanë bërë teatër tërë jetën për popullin, u jepet pension i veçantë. Kurse për mua që më morën 15 vjet të jetës, më lanë pa fëmijë, më dëmtuan organet, mua dhe shumë të tjerëve, të mos ketë mëshirë… Disa janë bërë spiunë me dhunë. Njërit i sollën vajzën 14 vjeçe në burg dhe e kërcënuan se do t’ia përdhunonin nëse nuk firmoste. Ia përplasën kokën në tavolinë dhe edhe sot e kësaj dite ajo ka shenjën në ballë”, tregoi Hysen Haxhiaj, nënkryetari i Institutit të të Përndjekurve Politikë.

Drafti i qeverisë është i mbështetur tek ekperienca gjermane dhe kërkon që çdo person me rëndësi publike të marrë një dëshmi e cila do të vërtetojë nëse ka qenë ose  jo bashkëpunëtor i sigurimit.

“Unë jam plotësisht dakord me ekspertizën e OSBE-së se kjo duhet bërë e detyruar, jo me dëshirë. Çdo institucion duhet t’i paraqesë autoritetit përkatës që do të zgjedhë Parlamenti me detyrim ligjor të gjitha kandidaturat që ka përcaktuar në vendet përkatëse të personit publik. Duke përfshirë jo vetëm personat e rëndësishëm publik, por duke e zgjeruar gamën me personat që japin drejtësi, që na përfaqësojnë në institucionet ndërkombëtare, me personat që drejtojnë mediat, etj”, deklaroi Daut Gumeni, ish-përndjekur.

Shoqëria civile kërkon hapjen dosjeve përmes lustracionit. “Ka mundësi të ndryshojmë Kushtetutën për hir të lustracionit? Unë them se ne duhet ta ndryshojmë Kushtetutën. Nuk mund të mbetemi peng në dorën e Gjykatës Kushtetuese, Komisionit të Venecias, apo të të huajve, që ndryshe flasin në biseda të vërteta dhe thonë se, duhet ta bëni dhe sigurisht që ndryshe flasin në raportet që iu dërgojnë juve nga halli, sepse nuk mund t’i shkelin ligjet e vendit”, deklaroi Elsa Ballauri, aktiviste e të drejtave të njeriut.

“Kam idenë se ky arsyetim mund të ketë vlerë nga pikëpamja politike, por nga ajo kushtetuese duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Për të pasqyruar vullnetin tonë duhet të gjejmë mekanizmat e duhur kushtetues dhe ligjorë”, u përgjigj deputeti i PS, Armando Subashi.

“Ku duhet të vini me një gjykim, duhet vetëm hapje dosjesh apo edhe lustracioni shoqëruar me të. Ky duhet të jetë gjykimi juaj, jo vetëm i joni, sepse jeni ju ata që keni vuajtur”, deklaroi kryetari i PR, Fatmir Mediu.

Pak kohë më parë OSBE deklaroi se projektligji i shoqërisë civile nuk mund të zbatohet sepse është antikushtetues. Qeveria shqiptare kërkon të hapë dosjet sipas ekperiencës gjermane, çka do të sjellë sipas saj transparencë në të gjitha hallkat. Një pjesë e ish-të përndjekurve politikë kërkojnë gjetjen e një pike të përbashkët në kryerjen e lustracionit.

Top Channel