“Ballkoni” blihet nga francezët

13/03/2015 00:00

Filmi kosovar “Ballkoni” është blerë nga kompania franceze e shpërndarjes së filmave “Premium Films”, me të cilën është nënshkruar një kontratë pesëvjeçare.

Pas pjesëmarrjes në mbi 100 festivale ndërkombëtare dhe fitores së 20 çmimeve, filmi “Ballkoni”, me skenar dhe regji të Lendita Zeqiraj, bëhet pjesë e rrjetit ndërkombëtar të shpërndarjes.

Bujar Kabashi, producent i filmit, e ka cilësuar këtë si një kapërcim kinematografik, pasi deri më tani nuk ka pasur shitje të filmave kosovarë për distributorë ndërkombëtarë.

“Premium Films” do të vazhdojë me promovimin e filmit “Ballkoni” nëpër festivale të ndryshme të filmit dhe, në intervalin kohor pesëvjeçar sa ç’vlen kontrata, është autorizuar të merret me shitjen dhe shfaqjen e filmit “Ballkoni” nëpër kinema, DVD, Blu-Ray dhe platforma VOD në tregun botëror, përveç Kosovës dhe Shqipërisë.

“Premium Films” e ka selinë në Paris dhe merret me shpërndarjen e filmave të të gjitha metrazheve dhe zhanreve. Në tregun e filmit njihen si ekspertë të shpërndarjes dhe shitjes së filmit të shkurtër.

Top Channel