Tirana, Elbasani dhe qytete të tjera vishen për festën e pranverë

13/03/2015 00:00

Dita e Verës do të pritet nën melodinë e notave muzikore shqiptare e të huaja  në Tiranë, bashkë me një sërë aktivitetesh të tjera, që zbavisin por edhe promovojnë traditën vendase.

“Për herë të parë Shërbimi Kombëtar për Rininë organizon aktivitete për Ditën e Verës. Aktivitetet do jenë gjithëpërfshirëse, të gjitha moshat, nga 0-150 vjeç. Konkretisht, një koncert para Kryeministrisë ku këngëtarja islandeze, Emiliana Torrini, do të këndojë për rreth një orë. Përveç saj do të ketë edhe disa këngëtarë shqiptarë, Juliana Pasha, Sidrit Bejleri, Vedat Ademi e të tjerë. Koncerti nis që në orën 12, që nga Sheshi Skënderbej, ku do të kemi një sërë aktivitetesh nga ansambli popullor, kemi bandën e Forcave të Armatosura, fusha të instaluara sportive për fëmijë dhe të rinjtë”, thotë Anuela Ristani, Drejtore e Shërbimit Kombëtar për Rininë.  

Një ditë për të gëzuar, por edhe për të ndihmuar e kthyer vëmendjen tek ata që kanë nevojë çdo ditë.

“Duke qenë se mbështesim shumë biznesin social, do të kemi edhe një kënd të veçantë për artizanët nga të gjitha trevat e Shqipërisë, që do të jenë të shpalosura në lulishten Ismail Qemali, gjithashtu përpara lulishtes së Parkut Rinia do të jetë agjencia në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve, së bashku organizata të tjera për mbrojtjen e fëmijëve në nevojë”, shton Ristani.

Aktivitetet do të zhvillohen nga ora 10.00-14.00. Për organizimin e tyre kanë ndihmuar përveç Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë edhe nga Ministria e Kultures, ajo e Arsimit dhe Sporteve, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe turizmit, si dhe biznese që do të ofrojnë produkte me çmime të favorshme.

Pas orës 14:00 muzikë me DJ,  për të festuar në ambiente të hapura Ditën e Verës.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel