Mustafa pret familjarë të veprimtarëve të LDK, të vrarë paslufte

13/03/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka pritur të premten në një takim familjarë të veprimtarëve të LDK-së, të vrarë pas luftës në Kosovë, njofton zyra për informim e kreut të ekzekutivit kosovar.

Në një komunikatë për shtyp, ku nuk përmenden se cilat familje u pritën nga kreu i Qeverisë, njoftohet se kryeministri Mustafa i falënderoi familjarët e veprimtarëve të LDK-së për vizitën e tyre, duke çmuar lartë kontributin e jashtëzakonshëm, që këto personalitete të shquara të lëvizjes për liri kanë dhënë për lirinë dhe demokracinë në Kosovë, kontribut që po çmohet brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës.

Kryeministri, po ashtu i siguroi ata për angazhimin e tij për të kontribuar në çdo formë, për zbardhjen e vrasjes së këtyre personaliteteve të shquara dhe për statusin e tyre.

Sipas komunikatës, familjarët e veprimtarëve të LDK-së uruan kryeministrin Mustafa për detyrën, duke theksuar se është koha e fundit, që sistemi i drejtësisë në vend të zbardhë vrasjet e veprimtarëve të LDK-së, si dhe që të trajtohet statusi i tyre.

Ky takim vjen në një kohë që edhe deputetë nga LDK kanë kritikuar faktin, se Gjykata Speciale që pritet të fillojë punë nuk do t’i trajtojë vrasjet e pasluftës.

Top Channel