Jetesa mesjetare e sheikut të terrorit

13/03/2015 00:00

Një shtëpi primitive, e ndërtuar me baltë të thatë dhe gurë, në një zonë të largët mes maleve lindore të Afganistanit, të njohur ndryshe si Tora Bora.

Pikërisht në këtë zonë ndodhej një nga strofullat e ish-liderit të Al Kaedës, Osama bin Laden, fotot e të cilës janë publikuar nga CNN.

Fotot kanë dalë në dritë muajin e kaluar gjatë procesit ndaj bashkëpunëtorit të Bin Laden, Khaled al Fawaz, që po zhvillohet në Mahnatan.

Në fotot e publikuara nga CNN shfaqet sheiku i terrorit me kallashnikovin përkrah dhe pranë tij një tjetër bashkëpunëtor me emrin Mustafa Setmariam Nasar.

Ky i fundit njihet më mirë si Abu Musab al Suri, një sirian që nuk shfaqet në publik prej dhjetë vjetësh dhe që është kthyer në një nga ideologët më influentë të lëvizjes xhihadiste.

Sipas CNN, tre bashkëshortet e Bin Laden dhe mbi 10 fëmijët që ai kishte me to nuk jetonin në të njëjtat kushte me ato të kryeterroristit, me sdandarde mesjetare dhe ku e vetmja dritë ishte ajo e hënës dhe e llampave të gazit.

Burimi i vetëm i ngrohjes gjatë periudhës së ashpër të dimrit, të shoqëruar me dëborë, ishte një vatër prej druri dhe mbijetesa arrihej përmes një diete me bazë orizi, bukë, vezë dhe djath.

Por përveç këtyre, ajo që bie në sy mes fotove të publikuara është se në një nga dhomat e improvizuara të sheikut kishte edhe një raft të mbushur me libra.

Top Channel