Kosovë, 4 komunat veriore me shumicë serbe, me llogari të bllokuara

13/03/2015 00:00

Katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës u janë bllokuar të gjitha llogaritë bankare nga 1 marsi, me vendim të Ministrisë së Financave.

Kjo, pasi Kuvendet komunale të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit kanë dështuar, që të miratojnë brenda afatit ligjor buxhetet komunale në përputhje me ligjet e Kosovës.

Burime të Top Channel brenda Qeverisë së Kosovës thonë se serbët e veriut po përpiqen që, në buxhetet e tyre komunale mos të përfshihen buxhetet e arsimit dhe shëndetësisë. Kjo pasi komunat serbe po synojnë që, për sistemin arsimor dhe shëndetësor në komunat e tyre, të vendosë Asociacioni i Komunave serbe, që pritet të krijohet së shpejti.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Pushtetit Lokal, Besnik Osmani, ka konfirmuar për Top Channel përmes telefonit, se nga 1 marsi janë pezulluar të gjitha pagesat për të gjitha llojet e shpenzimeve që bëhen në komunat veriore.

Osmani tha se Ministria e Financave iu ka dhënë udhëzimet e nevojshme me shkrim, se çfarë duhet të përmirësojnë komunat në buxhetet e tyre, por nuk i kanë bërë ato përmirësime.

Sipas Osmanit, buxheti i komunave nuk do të zhbllokohet, për sa kohë nuk miratohen buxhetet konform ligjeve të Republikës së Kosovës. Ai tha se Ministria e Pushtetit Lokal po punon me komunat veriore, që ta tejkalojnë këtë situatë, në mënyrë që të vazhdohet me shërbimet komunale ndaj qytetarëve, që jetojnë në atë pjesë të vendit.

Top Channel