Hera e fundit kur u shfaq në publik ishte ajo në takimin me kryeministrin italian Matteo Renzi. Por që atëherë presidenti rus Vladimir Putin duket se është zhdukur dhe mbi vendndodhjen e tij kanë lindur shumë mistere.

Duke parë qarkullimin e shumë lajmeve në mediat ndërkombëtare, zyra për shtyp e Kremlinit ka publikuar foto të një takimi mes Putin dhe kryetarit të Gjykatës Supreme ruse në një rezidencë jashtë moskës.

Por për agjencinë “Business Insider”, fotoja është identike me atë të një takimi të zhvilluar vitin e kaluar mes dy bashkëbiseduesve.

Në mediat online kanë qarkulluar zëra se shefi i Kremlinit ndihet keq, por për t’i përgënjeshtruar ato zëdhënësit e tij kanë bërë të ditur se presidenti do të takohet më 16 mars me presidentin e Kirgizstanit.

Por ka edhe nga ata, si e përditshmja zvicerane “Blick”, që ka shkruar se motivi i zhdukjes së Putin është i natyrës njerëzore.

Sipas gazetës, presidenti është zhdukur nga reflektorët për të ndjekur shtatëzëninë e partneres së tij, 32-vjeçares Alina Kabaeva, ish-gjimnaste, e cila është shtruar para pak ditësh në një klinikë private në Tessin të Zvicrës, në afërsi të Luganos.

Sipas të njëjtit burim, bëhet fjalë për një vajzë që tashmë ka lindur. Por edhe kjo tezë nuk ka gjetur konfirmim, pasi thuhet se lindja e vajzës ka ndodhur pak javë më parë.

Nga ana tjetër zyra e shtypit e Kremlinit ka përgënjeshtruar lindjen e një vajzë, duke i shtuar më shumë hije misterit. Natyrshëm lind pyetja: Ku është Putin?

Top Channel