Kavajë, në gjykatë polici dhunues

13/03/2015 00:00

Efektivi i Komisariatit të Policisë së Kavajës, i cili disa javë më parë u shfaq në një video amatore teksa ushtronte dhunë ndaj një të ndaluari, do të dalë përpara gjykatës me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Prokuroria e Kavajës ka mbyllur dosjen në ngarkim të efektivit Pajtim Muhaj, i cili më datë 20 Shkurt ushtroi dhunë ndaj një të ndaluari. Nga pamjet në videon amatore vërehet se efektivi i policisë Muhaj, ka goditur me shkelma në fytyrë personin e ndaluar, i dyshuar për një vepër penale, duke i shkaktuar dëmtime fizike.

Për prokurorinë veprimet e efektivit Muhaj kanë tejkaluar parashikimet e ligjit për Policinë e Shtetit dhe në përfundim të hetimeve Pajtim Muhaj akuzohet për veprën penale të “Kryerjes së veprimeve arbitrare”.

Pas publikimit të videos i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Policisë së Shtetit, që pezulluar nga detyra katër policë të Komisariatit të Kavajës dhe hapur një hetim të brendshëm.

Top Channel