Ish-kryeministër i Shqipërisë, një ndër figurat më të shquara të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara e mbi të gjitha një ndër emrat më me peshë i letrave shqipe.

Në 50-vjetorin e vdekjes së tij, Fan Noli vjen me zërin e tij përmes një ligjerate të mbajtur në anglisht e të regjistruar në Boston në vitin 1961. Zëri i Amerikës sjell për herë të parë këtë regjistrim, një rrëfim i pazakontë i Nolit për veten, shqiptarët në Amerikë e mbi të gjitha për mënyrën se si u bë shkrimtar.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, m’u desh të predikoja përpara shqiptarëve. Ata vinin nga fshati, shumë pak prej tyre kishin bërë ndonjë shkollë dhe unë përpiqesha shumë të afrohesha me ta. Mënyra e vetme për t’u lidhur ishte t’u flisje atyre në një shqipe shumë, shumë të thjeshtë. Ata ishin mësuesit e mi më të mirë, sepse më mësuan se si t’u flisja dhe të kuptohesha prej tyre.”- thotë ai.

Noli tregon se duke filluar nga viti 1908, iu desh të përkthente libra kishtarë nga greqishtja në shqip. Me ardhjen e Faik Konicës në Amerikë në vitin 1909, ata të dy hartuan një listë librash që duheshin përkthyer në shqip, me dëshirën për t’u dhënë shqiptarëve vepra të letërsisë botërore.

“Metoda ime ishte kjo: për shembull, kur fillova të përkthej Hamletin, unë përktheja pjesët më të bukura të tij, siç ishte monologu i famshëm “Të jesh a të mos jesh”, po kështu me Makbethin dhe Otellon. Më vonë plotësoja pjesët që mungonin. Ngurroja t’i botoja këto përkthime sepse nuk më pëlqenin aq shumë, por gjithmonë përpiqesha t’i korrigjoja.”-shpjegon vetë Noli.

Ai tregon për një episod të vitit 1915, kur për arsye financiare kishte mbetur i bllokuar në Vjenë.

“Një ditë takova Norbert Joklin, studiuesin e famshëm të shqiptarëve, profesor në Universitetin e Vjenës dhe i thashë se po përpiqesha të përktheja Hamletin, Makbethin, Jul Qezarin e vepra të tjera. Ai më tha të shkoja e t’i lexoja disa nga përkthimet dhe një mbrëmje ne u mblodhëm në grup disa njerëz bashkë. Veç dr. Joklit ishin edhe dr. Gjergj Pekmezi, Ismail Qemali, njeriu i famshëm që ngriti flamurin shqiptar dhe shpalli pavarësinë në vitin 1912, Fazil Pasha Toptani si dhe Faik Konica. U lexova disa pjesë që kisha përkthyer. Dr Jokli foli me entuziazëm dhe më kërkoi që t’i botoja patjetër këta libra.”- rrëfen Noli.

Rasti për t’i botuar përkthimet erdhi kur Noli u kthye nga Vjena në Shtetet e Bashkuara. Ai iu lut Vatrës t’i paguante shpenzimet e udhëtimit me premtimin se do t’ia shlyente ato me libra.

“U thashë atyre se nuk mund t’ua shlyeja ato 500 dollarë me para në dorë, por u premtova se, si shpërblim, ata do të merrnin libra prej meje. Kështu, ata morën Otellon dhe Kasollen e Blasko Ibanjezit, romancierit spanjoll të shekullit të 19. Otelloja u botua në vitin 1916, një vit pas ardhjes sime nga Vjena. Libri i Ibanjezit u botua pas pesë vjetësh.” – sqaron Noli.

Më vonë Noli botoi Jul Qezarin, Makbethin, Hamletin dhe Armiku i Popullit nga Henrik Ibsen, Zonja Inger, përsëri nga Ibsen, Don Kishotin e Servantesit dhe Rubairat e Omar Khajamit.

“Në vitin 1921, Koço Tashko, i cili në atë kohë ishte kryetar i Shoqërisë korçare “Arësimi”, mu lut të shkruaja një histori të Skënderbeut. I thashë se do të më duheshin rreth 12 muaj për ta mbaruar dhe ata pranuan. Por pata konkurrencë nga miku ynë i vjetër Kostë Çekrezi, i cili  premtoi ta shkruante librin për tri javë dhe jo 12 muaj. Tashkoja shprehu mendimin se askush nuk mund të shkruante një histori serioze të Skënderbeut për tri javë, kështu që kjo punë mu la mua.”-thotë ai.

Noli tregon se kur puna po i afrohej fundit, ai mësoi se në Vjenë kishte dokumente arkivore për Skënderbeun, sepse deri atëhere ishte mbështetur vetëm në burime letrare dhe në vepra biografike, si ajo e Barletit. Por atij iu kërkua ta mbaronte librin shpejt, kështuqë nuk mund t’i përdorte arkivat. 20 vjet më vonë, kujton ai, mu desh ta rishkruaja këtë libër bazuar në material arkivor.

“Në vitin 1947 botova librin “Bethoveni dhe revolucioni francez”, që ishte shkruar si tezë për masterin tim në muzikë në Universitetin e Bostonit. Ky libër dhe një përmbledhje vjershash u botuan me paratë që më dhuroi Vatra me rastin e përvjetorit të ditëlindjes.” – vazhdon më tej shkrimtari i madh i letrave shqipe.

Fan Noli mbërriti në Shtetet e Bashkuara me një shqipe të thjeshtë, të mësuar në komunitetin shqiptar të Ibrik Tepesë, në Trakën Lindore, për t’u bërë më pas njëri ndër lëvruesit më të mëdhenj të gjuhës së tij amtare.

“Mësuesit e mi ishin shkrimtarët e mëdhenj, veprat e të cilëve kisha përkthyer: Shekspiri, Edgar Alan Poe, Servantesi, Ibseni, Omar Khajami dhe nuk duhet të harroj Faik Konicën, një shkrimtar i klasit të parë.” – tregon Noli.

Top Channel