Partizani fiton derbin dhe rikthehet në garën për titull

13/03/2015 00:00

Partizani është rikthyer në luftën për titullin kampion pas fitores 2-1 në derbin e kampionatit shqiptar me Tiranën.

Në takimin e prapambetur të javës së 24 e të zhvilluar në “Qemal Stafa” bardheblutë ishin ata që morën nismën në minutat e para. Ata u shfaqën disa herë rrezikshëm përpara portës kundërshtare, por ndërhyrjet e portierit Hoxha dhe mbrojtja e Partizanit i mohuan golin.

Rezultati do të zhbllokohej në minutën e 25 nga Nexhipi, i cili në një aksion pa shumë pretendime përfiton nga përgjumja e mbrojtjes së Tiranës dhe shënon.

Tetë minuta më vonë Tirana pëson edhe goditjen e dytë. Raçiç dyfishon rezultatin dhe gëzon për herë të dytë tifozët në shkallët e stadiumit.

Në disavantazhin e dy golave, Tirana shton dozën e agresivitetit në sulm, por goli i mohohet sërish nga portieri Hoxha që në sekondat e fundit të pjesës së parë bën mrekullinë dhe mban rrjetën e tij të paprekur. Kaq për pjesën e parë.

Pjesa e dytë nis sërish me Tiranën në sulm dhe gjen golin në minutën e 61 me Morinën. Pas ngushtimit të diferencës bardheblutë ngulmojnë sërish, por fati dhe mbrojtja e Partizanit lanë rezultatin të pandryshuar deri në fund të takimit.

Sa për atë që u pa në fushë dhe në shkallët e stadiumit të mbushur plot, ndeshja ishte e denjë për dy skuadrat më të titulluara të kampionatit shqiptar. Në fushë zbritën plot 80 trofe zyrtarë, Tirana me 24 tituj kampionë, 15 Kupa dhe 10 Superkupa, ndërsa Partizani me 15 kampionate, 15 Kupa dhe 1 Superkupë.

Pas këtij takimi, Partizani ngjitet në vendin e tretë me 50 pikë, po aq
sa Tiranë, ndërkohë që Skënderbeu mban kryesimin me 54 pikë, ndjekur nga
Kukësi me 52, por që të dyja me nga një ndeshje mangët. 

FOTO GALERI
1/8
Lojtaret e Partizanit festojne fitoren me tifozet

Top Channel