Kosovë, ministri i Financave prezanton ndryshimet fiskale

13/03/2015 00:00

Ministri i Financave në Kosovë, Avdullah Hoti ka paraqitur gjatë një debati publik me shoqërinë civile dhe bizneset, ndryshimet që do të bëhen në ligjin për tatimin e vlerës së shtuar, ligjin për të ardhurat personale dhe ligjin për të ardhurat e korporatave.

Hoti ka propozuar që norma e tatimit mbi vlerën e shtuar, që aktualisht është 16 për qind, të zvogëlohet në 8 për qind për mallrat elementare si buka, kripa dhe vaji por edhe për produkte tjera bazë.

“Unë pres që kjo në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojë në standardin e jetesës, sidomos të familjeve me të ardhura të ulëta, pasi vlerësimet tona tregojnë se të gjitha familjet që janë nën pragun e varfërisë dhe me asistencë sociale, gjysmën e të ardhurave të tyre mujore e shpenzojnë për këto mallra elementare”, tha Hoti.

Ministri i Financave tha se ndryshim tjetër shumë i madh do jetë heqja e tatimit mbi vlerën e shtuar për linjat e fabrikimit të makinerive prodhuese.

“Tek ligji për të ardhurat e koorporatave do të njohim si shpenzime të shkollimeve dhe të trajnimeve të stafit vlerën deri në 3 mijë euro. Ndërsa përgatitjet e stafit që mund të bëjnë bizneset përmes sponsorizimeve do njihen deri në 10% të bazës tatimore. Kemi vendosur të caktojmë një tatim prej 10% në dividendë dhe në lojërat e fatit, si dhe qeranë prej 9% që ekziston të ndalet, me qëllim për të menaxhuar më lehtë këto hyrje buxhetore”, tha Hoti.

Propozimet e Ministrisë së Financave për ndryshimet ligjore janë mirëpritur nga përfaqësuesit e bizneseve.

“Besoj se kjo do të na ndihmojë që më në fund të vendosemi në hartën e investitorëve potencialë, por natyrisht edhe që të krijohen parakushte që investitorët vendas të zgjerojnë biznesin e tyre dhe natyrisht të krijojnë vende të reja pune. Jemi në proces të mbledhjes së komenteve, por që me ligjet e vjetra nuk e kanë pasur të drejtën për të zbritur TVSH-në”, tha Arjan Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane.

Propozimet e ligjeve të prezantuara në debatin publik, ministri i Financave Avdullah Hoti tha se shumë shpejt do të proçedohen në qeveri e më pas edhe në Kuvend për miratim.

Top Channel