PD: Protesta deri në dorëheqjen e Ilir Metës

13/03/2015 00:00

Në një mbledhje që u mbajt mbrëmjen e së premtes, Partia Demokratike vendosi që të protestojë çdo ditë deri në dorëheqjen e Ilir Metës.

Protestat do të zhvillohen jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe, ndërsa çdo të enjte ajo do të zhvendoset para Parlamentit. Çdo ditë do të jenë të rinjtë e FRPD-së ata që do tubohen para kryesisë së Kuvendit, ndërsa detajet për protestat në rrethe pritet që të mësohen në ditët e ardhshme.

Edhe kreu i demokratëve, Lulzim Basha u shpreh në kohezion me këto vendimi në daljen para mediave.

“Duke e identifikuar si problemin më të madh, si sfidën më të madhe që vendi ka, duke u thënë shqiptarëve që Shqipëria nuk ka të ardhme pa trajtuar problemin e kriminalizimit të shtetit, duke ndarë me shqiptarët shqetësimin se është kriminalizimi i shtetit burimi i të gjitha të këqijave, ne kemi vendosur një strategji protestash të vazhdueshme deri në plotësimin e kërkesave tona. Ndaj dhe ne i bëjmë thirrje shqiptarëve të bashkohemi siç u bashkuam dje, në një sezon protestash mbarëpopullore në Tiranë dhe anë e mbanë Shqipërisë, për t’i thënë ndal kësaj mynxyre, ndal krimit në qeverisje, ndal varfërisë, papunësisë, pasigurisë, tritolit, terrorit, dhunës”, tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Top Channel