Matteo Renzi në Egjipt: Të reagojmë para se ISIS të pushtojë Libinë

14/03/2015 00:00

Pas takimit me Presidentin egjiptian, Kryeministri i Italisë, Matteo Renzi ka bërë thirrje për një reagim ndërkombëtar ndaj situatës së krijuar në Libi nga militantët e ISIS.

“Ne jemi më të fortë se terroristët. Ne duhet të ndërhyjmë në Libi duke nisur me përpjekjet diplomatike të OKB-së”, tha Kryeministri italian.

Renzi u takua në Sharm el Sheikh me Presidentin egjiptian Al Sisi ku ngriti edhe shqetësimin e tij në lidhje me situatën e rëndë të krijuar në Libi, duke i bërë thirrje ndërkombëtarëve që ta cilësojnë Libinë si prioritare për t’i dhënë një zgjidhje situatës atje.

“Është normale që ka ndjeshmëri të ndryshme,  madje edhe brenda institucioneve të OKB-së. Por me Sisin ne kemi rënë dakord që lufta kundër terrorizmit është një prioritet”, tha ai.

Italia, ishujt jugorë të së cilës janë vetëm 300 km larg nga brigjet e Libisë, është alarmuar së tepërmi pasi vendi afrikan është shthurur thuajse tërësisht që kur forcat perëndimore ndihmuan në rrëzimin e Gaddafit.

Qindra dhe mijëra emigrantë kanë mbërritur në jug të Italisë përmes varkave të pasigurta, ndërkohë që kalimi i tyre nga Libia është ndihmuar nga trafikantë që operojnë lirshëm në këto kushte kaosi, apo anarkie.

Përveç se po nxisin ndjenjat antiemigracion në Itali, një vend që po vuan nga një krizë e thellë ekonomike në vetvete, kriza e shkaktuar nga ISIS ka ngritur edhe dyshime mbi sigurinë, veçanërisht pas ekzekutimeve ndaj të krishterëve egjiptianë, dhe mesazhit kërcënues të ISIS kundrejt Romës, strehë edhe e Papa Françeskut.

Top Channel