Papa Françesku mund të largohet nga drejtimi i Kishës Katolike

14/03/2015 00:00

Në përvjetorin e dytë të zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike, Papa Françesku, në një intervistë për një televizion meksikan, la të kuptohet se ai mund të japë dorëheqjen si paraardhësi i tij.

“Unë kam ndjesinë se papati im do të jetë i shkurtër, katër ose pesë vjet. Nuk e di, ndoshta edhe dy ose tre vjet”, ka thënë Papa Françesku. Ai e vlerësoi vendimin e Papa Benediktit për t’u dorëhequr nga drejtimi i Kishës Katolike në vitin 2013 si të “guximshëm”.

“Benedikti nuk duhet të konsiderohet një përjashtim, por një institucion. Ndoshta ai nuk do të jetë i vetmi në zgjedhjen e tij”, tha ai.

Papa Françesku edhe në të kaluarën nuk e ka mohuar mundësinë e largimit nga drejtimi i kishës, por është shprehur kundër idesë për vendosjen e një kufiri moshe për udhëheqësin e Kishës Katolike. “Të thuash se dikush do të qëndrojë në krye të kishës deri në moshën 80 vjeçare, atëherë do të krijohej një ndjesi që papati është në fund të tij dhe nuk do të ishte një gjë e mirë, tha Françesku.

Papa Françesku u zgjodh në krye të Kishës Katolike si pasues i Benediktit XVI më 13 mars të vitit 2013. Ai është i pari amerikano-latin që drejton Kishën Katolike.

Gjatë intervistës ai pranoi se ishte befasuar nga vendimi për zgjedhjen e tij si pasues i Benediktit dhe ishte zënë i papërgatitur, madje në Romë kishte marrë vetëm një valixhe të vogël, me idenë se do të kthehej shpejt në Buenos Aires.

Top Channel