Cikloni Pam “masakron” ishujt në jug të Paqësorit. Viktima dhe dëme në masë

14/03/2015 00:00

Cikloni Pam është përplasur në arqipelagun e Paqësorit të jugut, Vanuatu, duke lënë pas një shkatërrim total dhe duke vrarë të paktën 6 persona, raportojnë agjencitë e ndihmës së shpejtë.

Sipas burimeve, të cituara nga mediat ndërkombëtare, shtëpitë në kryeqytetin Port Vila janë shkatërruar dhe banorët kanë marrë rrugët në kërkim të ndihmës.

Agjencitë e OKB-së deklarojnë se, pavarësisht bilancit fillestar, disa dhjetëra banorë mund të kenë mbetur të vrarë nga katastrofa, e konsideruar ndër më të rëndat në historinë e Paqësorit.

Cikloni Pam ka sjellë në arqipelag erëra që arrijnë deri në 270 kilometra në orë dhe shira shumë të dendura e të rrëmbyeshme.

Chloe Morrison, një oficere komunikimi pranë shoqatës World Vision, që ndodhet në Port Vila, deklaroi se rrugët e kryeqytetit janë mbushur me pjesë çatish, pemë të çrrënjosura nga forca e erës dhe shtylla elektrike të rrëzuara.

Oficerja shtoi se ka të dhëna se fshatra të tërë në zonat e largëta të arqipelagut janë shkatërruar tërësisht.

Ka ende rrezik. Shumë njerëz janë ende duke u ruajtur. Dëmet në Port Vila janë të përmasave të mëdha, por ka edhe shumë ishuj të tjerë të goditur. Nuk e imagjinoj dot në ç’situatë mund të ndodhen banorët e tyre”, deklaroi oficerja.

Raportime të ngjashme bënë edhe oficerë të tjerë, të cilët saktësuan se kominikimet në arqipelag janë shkatërruar, ndërsa i cilësuan 30 minutat e përplasjes së ciklonit si momente terrori.

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Australisë, Julie Bishop deklaroi se qeveria po përgatitet të dërgojë një skuadër reagimi ndaj krizave në ishull.

I ndodhur mes Australisë dhe ishujve Hauai, Vanuatu ka një popullësi prej 267 mijë banorësh të përhapur në 65 ishuj, rreth 47 mijë prej të cilëve jetojnë në kryeqytetin Port Vila.

Top Channel