Nata e Verës në Elbasan, festë deri në orët e mëngjesit

14/03/2015 00:00

Nata e Verës ka zbardhur Elbasanin. Mijëra qytetarë, jo vetem nga ky qytet por nga i gjithë vendi dhe trojet shqipfolëse janë mbledhur në sheshin “Gensher” për të ndjekur koncertin e madh të mundësuar nga bashkia e këtij qyteti.

Këngëtarët më në zë të muzikës popullore por edhe asaj të lehtë të Shqipërisë janë ngjitur në skenë për të festuar së bashku ardhjen e stinës së ngrohtë.

Por skenës nuk i kanë munguar edhe aktorë të humorit por edhe trupa e Cirkut të Tiranës, të cilët i kanë dhënë më shumë gjallëri festimeve.

Qytetarët janë shprehur të kënaqur nga organizimet dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në shesh deri në orët e para të mëngjesit për të pritur së bashku “Ditën e Verës”.

Kryebashkiaku Sejdini i mori vetëm pak minuta festimeve për të bërë urimin e tij tradicional. Situata kulmoi me hedhjen e fishekzjarreve të cilat ndriçuan “Natën e Verës” në Elbasan.

Është viti i tetë që kreu i bashkisë uron qytetarët e tij, duke i bërë të mundur miqve dhe mysafirëve një qytet plot me aktivitete dhe larmi në këtë festë tradicionale.

Nuk mund të kalonte pa emocione dhe duartrokitje performanca e këngëtareve Valbona Halili, Valbona Mema, Irma Libohova, Xhavid Dedej, Hajredin Gjeta, Sinan Hoxha, Silva Gunbardhi, Dafi, Xhensila Myrtezai si edhe Vëllezërit Zena, të cilët në orët e para të mëngjesit kanë zgjuar gjithë qytetin me këngët e tyre, madje duke ftuar qytetarët në shesh që të këndojnë dhe festojnë së bashku.

Por veç festimeve, në shesh të gjitha baret dhe restorantet e qytetit kanë qenë të mbushura plot deri në orët e para të mëngjesit, pasi siç e do tradita, festa e verës pritet së bashku.

Top Channel