Krerët e politikës vizitojnë Elbasanin, mesazhe të ndryshme për festën

14/03/2015 00:00

Elbasanin këtë të shtunë, me rastin e Ditës së Verës, e kanë vizituar edhe kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Pavarësisht se kanë vizituar ambjente të njëjta, Panairin e Ditës së Verës, mesazhet e tyre mbi situatën ekonomike në vend kanë qenë të ndryshme.

“Në këtë panair janë prezantuar më shumë kompani se vitin e kaluar dhe ky është një lajm i mirë. Këtu ka kompani me prodhime shqiptare që shfaqin interes për eksport dhe do të jenë këto kompani do të sjellin zhvillim për ekonominë shqiptare”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa Basha nga ana e tij ka theksuar se varfëria dhe papunësia kanë depërtuar thellë në shoqërinë shqiptare, duke bllokuar kështu zhvillimin e saj.

“Shpreh urimet më të përzemërta për Ditën e Verës, ditën e luleve. Shqiptarët kanë nevojë më shumë se kurrë për shpresë, për një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre dhe për të nxjerrë veten nga problemet.
Në këtë panair kam prekur zhgënjimin dhe trishtimin për gjendjen e rëndë ekonomike. Papunësia, varfëria dhe shtrëngimi i lakut në familjet shqiptare reflektohet në rënien e konsumit, investimet, në rënien e përgjithshme ekonomike.

Në këto kushte uroj me gjithë zemër që bashkë me lulet e verës shqiptarët të kenë edhe shpresën për t’u kthyer në rrugën e zhvillimit ekonomik dhe një të ardhmeje që siguron punësim e mirëqënie për të gjithë”, tha Basha.

Më herët gjatë ditës, kryeministri Rama uroi qytetarët edhe me një postim në rrjetin social Tëitter. “Gëzuar Ditën e Verës. Paçi të gjithë mirësi dhe besim se më e mira është ende përpara në rrugën e të ardhmes për familjen tuaj e vendin tonë!”, u shpreh Rama në mesazhin e tij.

Top Channel