Komenti i nxituar për Michelle Obama i kushton vendin e punës

14/03/2015 00:00

Sa shtrenjtë kushton një koment i nxituar! Prezantuesit televiziv të kanalit Univision në Shtetet e Bashkuara, Rodner Figueroa, i kushtoi vendin e punës e mbase edhe mundësinë për të gjetur një post të ngjashëm së shpejti.

42-vjeçari e kishte krahasuar Zonjën e Parë të Amerikës, Michelle Obama me një personazh të filmit “Planeti i Majmunëve” në komentet e bëra ndaj videos së një artisti make up-i të hedhur në internet.

Artisti në fjalë e transformonte veten me forcën e makiazhit në personalitete të ndryshme dhe në letrën drejtuar bashkëshortes së presidentit, Figueroa përpiqet të shfajësohet duke thënë se batutat e tij i drejtoheshin pikërisht performancës së dobët të personit në fjalë.

Univision u distancua menjëherë duke i cilësuar pohimet e prezantuesit si ‘të denueshme’.

“Epo, ju e dini se Michelle Obama duket sikur është pjesë e kastit të ‘Planetit të Majmunëve”, tha 42-vjeçari gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë të mërkurën në rrjetin televiziv që transmeton në gjuhën spanjolle e që është mjaft i ndjekur në Shtetet e Bashkuara.

Drejtuesit e tjerë të shfaqjes menjëherë i hodhën poshtë vërejtjet e tij duke e përshkruar zonjën Obama si ‘një femër mjaft tërheqëse’. Megjithatë, Figueroa vazhdoi të këmbëngulte në pohimet e veta duke thënë: “Është mëse e vërtetë”.

Me vonë, në apologjinë drejtuar Zonjës së Parë, prezantuesi perveçse ka kërkuar ndjesë ka marrë përsipër edhe përgjegjësinë e plotë të deklaratave të tij, ndërsa ka theksuar se në dy zgjedhjet e fundit presidenciale ka votuar për Barack Obama-n, duke mos harruar t’i referohet edhe origjinës së vet multi-racore.

Michelle Obama nuk ka bërë ende asnjë koment mbi çështjen. Në vitin 2014 Figueroa fitoi një çmimin Daytime Emmy Award për punën e shkëlqyer. Ai ishte prezantues në Univision prej 17 vjetësh.

Top Channel