Rama: Ballkani, integrim të përbashkët. Të rrisim bashkëpunimin rajonal

14/03/2015 00:00

Kryeministri i vendit Edi Rama ka theksuar se rrugët e suksesit të Ballkanit drejt Bashkimit Europian janë  krijimi i politikave të përbashkëta rajonalë në funksion të bashkimit me Europën.

Rama mori pjesë në çeljen e punimeve të Konferencës për Europën Juglindore. Projekti i madh i një Europe të bashkuar, tha Rama, nuk po ecën aty ku duhet.

“Nga njëra anë kemi sfidën e ecjes drejt Bashkimit Europian si vend dhe si rajon, por nga ana tjetër e kemi të pamundur të mos konstatojmë se vetë Bashkimi Europian nuk po ecën drejt Europës si projekt me atë vendosmëri strategjike që BE u bë zanafilla e këtij projekti. Angazhimi i shtuar i shoqërisë përmes segmenteve të saj të dijes dhe të reflektimit mund të rrisë në mënyrë drastike mundësitë për një Europë strategjike, në vend të një Europë taktike, si kjo me të cilën bashkëjetojmë në këtë rrugëtim me dy kahje, nga njëra anë ne që përpiqemi që të shpejtojmë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian dhe nga ana tjetër Bashkimit Europian që përpiqet të ngadalësojë sa të mundet rrugën e vet drejt Europës si projekt final të bashkimit të të gjithë vendeve dhe shoqërive që e përbëjnë atë”, deklaroi Rama.

Kryeministri Rama theksoi se sfidat kryesore janë  forcimi i urave të bashkëpunimit  në fusha me interes të përbashket si transporti, tregtia, energjia, arsimi dhe drejtësia.

“Europa e bashkuar ka nevojë për Ballkanin po aq sa Ballkani ka nevojë për Europën e bashkuar, për arsye të sigurisë së përbashkët dhe thënë kjo për arsye të mos nënvlerësimit të dobësisë që do të ishte fizioligjike për të dyja palët, vëmë gjithmonë e më tepër theksin te vendosmëria për të bashkuar përpjekjet për reformat financiare dhe ekonomike me përpjekjet për reformat në arsim në radhë të parë dhe më tej për shtetin e të drejtës dhe të sigurisë ligjore”, shtoi Kryeministri.

Shqipëria, tha Rama, tanimë ka ndërmarrë reforma të rëndësishme dhe vendi është në rrugën e duhur drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Top Channel