Shtetësi greke më dokumenta false, në Janinë nisin hetimet

14/03/2015 00:00

Prokuroria e Janinës ka urdhëruar hapjen e hetimeve urgjente lidhur me dhënien e shtetësisë greke për shtetasit shqiptarë me dokumenta të falsifikuara. Hetimet do të shtrihen në konsullatën greke në Gjirokastër, si dhe në zyrat e gjendjes civile në disa bashki të veriut të Greqisë.

Ka qenë pikërisht konsullata greke e Gjirokastrës që kërkoi hapjen e hetimeve, pasi kohët e fundit në zyrat e saj janë paraqitur gjithnjë e më shumë persona me origjinë shqiptarë, të cilët kërkojnë marrjen e shtetësisë greke, pasi gjyshërit dhe stërgjyshërit e tyre kanë qenë shtetas grekë që jetonin në Epir gjatë viteve 1912-1924.

Dyshimet se punonjës shtetërore grekë kanë pajisur me çertifikata të falsifikuara shumë shtetas shqiptarë kanë bërë që edhe kryetari i Bashkisë së Janinës të pohojë se ekziston mundësia që nga zyrat e tij të jenë dhënë dokumenta të falsifikuara.

Deri tani janë gjetur me siguri të paktën 20 raste të çertifikatave false dhe po hetohen edhe 60 raste të tjera. Dyshimet janë edhe për qindra të tjera, thonë burimet.

Sipas kryetarit të Bashkisë,Thomas Bekas prej hetimeve rezulton se janë dhënë disa dhjetra, ndoshta dhe qindra çertifikata të dyshuara si të falsifikuara për origjinën greke të shtetasve shqiptarë, për periudhën 1912-1924, periudhë kjo që zona e Janinës iu mor Perandorisë Otomane dhe iu bashkangjit territoreve të sotme të Greqisë.

Bashkë me Janinën, Greqisë iu shtua gjithë zona e Epirit dhe Selaniku, si dhe një pjesë e ishujve të Egjeut. Gjatë këtyre viteve në zonën e Epirit jetonin mijëra shtetas grekë me kombësi shqiptare të besimit mysliman, të cilët, sipas ligjeve greke në fuqi kanë të drejtën e shtetësisë greke. Madje këta persona menjëherë pas marrjes së shtetësisë greke kanë edhe mundësinë të marrin pasuritë e patundëshme, titujt e  pronësisë dhe depozitat e stërgjyshërve të tyre.

Duket se ky fakt ka alarmuar organet greke, të cilat i druhen edhe tjetërsimit masiv të pasurive në zonën e Thesprotisë dhe Epirit. Deri tani, në gjykatat  greke janë dërguar më shumë se 7000 procese për shtetas të ndryshëm shqiptarë të akuzuar për tjetërsim ose falsifikim të dokumentave të ndryshme.

Top Channel