Vettel: Kemi një makinë të shkëlqyer, duhet t’ia vështirësojmë jetën Mercedesit

15/03/2015 00:00

Sebastian Vettel e ka nisur më së miri sezonin e tij të parë me Ferrarin, duke rrëmbyer podiumin e parë në Çmimin e Madh të Australisë, sigurisht pas dy “shigjetave të argjendta”, të cilat duken se garojnë më vete.

Megjithatë, gjermani 4 herë kampion bote, është shprehur i kënaqur me vendin e tretë dhe, duke iu përgjigjur në anglisht Arnold Shwarceneggerit, është ndalur për një çast për ta kthyer përgjigjen në italisht, dedikuar mekanikëve të skuderisë: “Kemi një makinë të shkëlqyer, qoftë për kualifikueset, ashtu dhe për garat”.

Në konferencën për shtyp pas garës së Australisë ai ka shtuar se “është diçka shumë e mirë të debutoja në këtë mënyrë. Për mua është një nder që garoj me një makinë të tillë. Gjithnjë jam përpjekur të marr sa më shumë të mundesha, por është kënaqësi të shohësh të valëvitet sërish flamurin me tabelën e shahut. Ky është një vlerësim shumë i mirë për punën e bërë nga të gjithë djemtë në skuderinë nga Maranello. Makina që kemi sivjet është shumë herë më e mirë nga ajo e 2014-s, ndaj është një bazë shumë e mirë për ta nisur. Në garë besoj se ishim shumë më pranë Mercedesit, krahasuar me provat zyrtare. Jam krenar sesi e përballoi garën ekipi im, të gjithë e dinë se ku duhet të shkojmë, pasi objektivi ynë është t’ua bëjmë jetën më të vështirë Lewisit dhe Nicos”.

Top Channel