Mustafa viziton Gjakovën, premton vëmendje për komunat kufitare

15/03/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa premtoi se qeveria e tij do t’i kthejë sytë nga komuna e Gjakovës për t’ia kthyer mundësitë për zhvillimin ekonomik. Ai tha se, me ndryshimet në legjislacion që po bëhen, do të hapen rrugë për shumë projekte zhvillimore për këtë komunë, si një zonë kufitare më rëndësi të madhe.

Ai shtoi se shumë shpejt do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për t’i trajtuar kërkesat e komunës për shndërrimin e saj në zonë të lirë ekonomike dhe shpërndarjen e 20 përqind të mjeteve, që u takojnë punëtorëve.

Këto komente, ai i bëri gjatë vizitës në Gjakovë dhe pas takimit me kryetaren e kësaj komune, Mimoza Kusari Lila.

Komuna e Gjakovës ka pasur kërkesa të veçanta që nga mandati i kaluar, kërkesa këto që ndërlidhen me krijimin e infrastrukturës për zonë të lirë ekonomike. Kryetarja e Gjakovës shprehu besimin e saj, se qeveria do të sjellë shumë shpejt rezultate konkrete për funksionalizimin e zonës ekonomike.

Komunat e Gjakovës dhe të Mitrovicës janë shpallur zona të lira ekonomike në qeverinë e kryeministrit Thaçi.

Top Channel