ISIS, Vatikani mbron për herë të parë ndërhyrjen ushtarake

15/03/2015 00:00

Vatikani ka pranuar se përdorimi i forcës mund të jetë i pashmangshëm për të ndalur sulmet ndaj të krishterëve dhe komuniteteve të tjera fetare minoritare në Lindjen e Mesme, nga Shteti Islamik, nëse nuk gjehet një zgjidhje politike.

Kryepeshkopi Silvano Tomasi, kryediplomati i Vatikanit në OKB, thotë se xhihadistët kanë kryer “genocid”, ndaj dhe duhen ndalur. Vatikani, tradicionalisht i ka kundërshtuar ndërhyrjet ushtarake në rajonin e Lindjes së Mesme.

Gjithsesi, Papa Françesku e kritikoi ashpër ekzekutimin me prerje koke të 21 egjiptianëve të krishterë kopt, nga ISIS në Libi gjatë shkurtit. Militantët xhihadistë kanë vënë në shënjestër grupet fetare minoritare në pjesë të ndryshme të Sirisë dhe Irakut, të cilat i kanë nën zotërimin e tyre. Mijëra të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Kryepeshkopi Tomasi shtoi se “ajo që nevojitet është që koalicioni i koordinuar dhe i mirëmenduar të bëjë gjithçka të mundshme për të arritur një zgjidhje politike pa nevojën e dhunës. Por, nëse kjo gjë nuk është e mundur, atëherë përdorimi i forcës do të ishte i nevojshëm”. “Duhet ta ndalim këtë llo genocidi. Përndryshe do të qahemi në të ardhmen përse nuk e bëmë diçka të tillë, përse lejuam një tragjedi kaq të tmerrshme të ndodhte”.

Të krishterët kanë qenë objektivi kryesor i sulmeve të ISIS, tha kryepeshkopi, por të gjitha komunitetet minoritare janë qenie njerëzore, e si të tilla të drejtat e tyre duhen mbrojtur. “Të krishterët, jazidis, shiitët, sunitët, alauitët, të gjithë janë qenie njerëzore, të drejtat e të cilëve duhen mbrojtur me çdo kusht”, tha ai.

Sipas tij, çdo koalicion duhet të përfshijë edhe shtetet muslimane nga Lindja e Mesme, ndërsa duhet të udhëhiqet nga Kombet e Bashkuara. Në shkurt, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmëruan se ISIS po përpiqej të çrrënjoste grupet minoritare në Irak, kryesisht nga zonat e mëdha të vendit. Në një raport, ata kanë detajuar të dhëna mbi ekzekutimet, ndërhyrjet me forcë, përdhunimet dhe abuzime të tjera të vuajtura nga minoritetet.

Top Channel