Ndahet nga jeta gjuhëtari Petro Zheji. Rama: Trishtim për “ustain e pashoq të gjuhës”

15/03/2015 00:00

Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, arsimtari, përkthyesi i sprovuar dhe gjuhëtari Petro Zheji, i lindur në Gjirokastër më 18 tetor 1929.

Petro Zheji ka qenë autor i disa përkthimeve e studimeve gjuhësore, ndër të cilat edhe përkthimin e Don Kishotit të Mançes, që siç shprehet edhe kryeministri Edi Rama në rrjetin social Facebook, “e bëri Don Kishotin të fliste shqip, sikur të ishte lindur anëve tona”.

Petro Zheji ka studiuar për Matematikë-Fizikë, e më tej edhe për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka qenë i martuar me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961 u lind djali i vetëm, Artur Zheji. Pas viteve ’90, ai u largua për në SHBA e më pas u rikthye sërish në Tiranë.

Kryeministri e vlerësoi Petro Zhejin si “një usta të pashoq të gjuhës shqipe”. Përkthimi i tij i parë daton më 1958-n dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov. Ndër titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vitet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia e huaj.

Homazhet për Petro Zhejin u zhvilluan në Muzeun Kombëtar nga 14:00-15:00.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, theksoi se bëhet fjalë për një “ditë të trishtë për të gjithë pasi i japim lamtumirën një mendimtari dhe krijuesi të niveleve europiane”.

“La pas një trashëgimi të shkëlqyer intelektuale”, tha Meta.

Ndërsa kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, pas homazheve deklaroi për mediat se ndarja e Petro Zhejit nga jeta është “një humbje e parekuperueshme për familjen e tij dhe letrat shqipe”.

FOTO GALERI
1/1

Top Channel