Mazhoranca ndan njësitë vendore. LSI-ja merr 15 bashki. PS-ja vazhdon negociatat me aleatët e tjerë

15/03/2015 00:00

Edi Rama ka mbërritur në selinë e Partisë Socialiste pak minuta para orës 11:00, kur ishte përcaktuar të priste aleatin e tij më të madh në qeverisje, Ilir Metën.

I veshur sportiv si në një ditë fundjave, por ndoshta edhe me domethënien se nuk do të ishte i vështirë ky takim, pasi mesa duket piketat ishin vendosur në takimet e mëparshme mes të dyve. Po aq i relaksuar për këtë bisedë dukej të ishte edhe kreu i LSI-së, i cili ashtu si kryeministri, nuk i shpëtoi dot takimit me njerëz as në hyrje të selisë së Partisë Socialiste, në të cilën ai kthehet pothuaj dy vite më pas për të njëjtën arsye: negociatat për zgjedhjet.

Kryeministri Edi Rama shoqërohej në takim nga kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, dhe deputeti Taulant Balla. Ndërsa zoti Meta shoqërohej nga kreu i grupit parlamentar i LSI-së, Petrit Vasili.

Pas përfundimit të takimit, kryeministri Rama tha për mediat se pret nga LSI-ja propozim për kandidatë për këto njësi vendore: Berat, Lezhë, Gjirokastër, Kukës, Pogradec, Kuçovë, Skrapar, Vorë, Bulqizë, Cërrik, Mallakastër, Delvinë, Prrenjas, Selenicë dhe Kolonjë.

“Jemi të prirur nga konsensusi, jo nga numrat apo emrat. Kemi preferenca për cilësitë e kandidatëve dhe kandidateve”, u shpreh Meta.

Kjo do të thotë se pikëpyetjet mbi disa njësi marrin fund pas përcaktimit të zonave të LSI-së. Përfundimisht, në njësitë e tjera të mëdha si Tirana, Vlora, Fieri, Durrësi, Lushnja, Shkodra, Korça dhe Elbasani do të kandidojnë përfaqësues të Partisë Socialiste. Ajo që Rama dhe Meta pohuan për mediat ishte theksi i tyre te rritja e kandidimit të femrave.

Kryeministri Rama deklaroi: “Në këshillat bashkiakë ne do të kemi një përfaqësim 50% meshkuj dhe 50% femra.”

Kur u pyet nëse Bashkia e Tiranës do i besohej një femre, Rama u përgjigj: “Pse jo.”

Pyetjes nëse po negociohet me PDIU-në, kreu i socialistëve nuk përjashtoi jo vetëm partinë e Idrizit, por asnjë forcë të dytë politike, të përfaqësuara apo jo me deputetë në Kuvend: “Ne kemi hapur diskutimet me të gjitha partitë e tjera, përveç PD-së dhe satelitëve ballisto-republikanë të cilët janë ndarë nga rruga e historisë së re të këtij vendi.”

Interesimit madhor të medias për emra konkretë kandidatësh, Edi Rama i dha kohë këtij diskutimi kur tha se do të mbyllen në fund të këtij muaji, ndërsa Ilir Meta përcaktoi aty për aty se e majta do t’i bëjë ato publike në një ditë që ka hyrë në kalendarin e zhvillimeve të rëndësishme të së majtës: “Deri në datën 1 prill do të merret vesh lista e plotë e të gjithë emrave kandidatë.”

FOTO GALERI
1/1

Top Channel