Serbia në zi, rrëzohet helikopteri, 7 viktima. Do të shpëtonte foshnjen 5-ditëshe

15/03/2015 00:00

Një helikopter me mision shpëtimi në Serbi, i cili kishte në bord një të porsalindur që kishte nevojë për trajtim mjekësor, është rrëzuar duke shkaktuar humbjen e jetëve të të 7 personave në bord.

Helikopteri raportohet të jetë rrëzuar për shkak të mjegullës së madhe,
teksa përpiqej të ulej në kryeqytet, Beograd, gjatë natës së të premtes.
Në bordin e tij ishte 4 anëtarë ekuipazhi dhe 2 mjekë.

Pas shpalljes ditë zie kombëtare të kësaj të diele, ministri i Mbrojtjes Bratislav Gasiç tha se ushtria humbi pilotët e saj më të mirë për helikopterë. Mjeti i fluturimit ishte njoftuar për të dhënë ndihmën e shpejtë, pasi një autoambulancë që po transportonte foshnjen e porsalindur u bllokua nga një rrëshqitje dheu, 200 km në jug të Beogradit.

Foshnja 5-ditëshe kishte nevojë për trajtim mjekësor, pasi ishte diagnostikuar me probleme respiratore kërcënuese për jetën. Zyrtarët thanë se kulla e kontrollit në aeroportin e Beogradit humbi kontaktet me helikopterin, teksa mjeti i priste qartësimet e nevojshme për t’u ulur vetëm pak pas orës 22:30 të mbrëmjes së të premtes.

Pasi dështoi në dy përpjekjet e para për t’u ulur për shkak të mungesës së shikimit, ai u rrëzua, bëri të ditur komandanti i njësisë së helikopterëve, Predrag Bandiç. Në mediat serbe u njoftua për identitetin e personave: pilotët ishin major Omer Mehiç dhe kapiten Milovan Djukeliç, ndërsa inxhinierë fluturimi ishin Nebojsa Drajiç dhe Ivan Miladinoviç. Fotot e tyre u publikuan edhe në faqen e internetit të Forcave të Armatosura të Serbisë.

Mes viktimave ishte edhe doktor Dzevad Ljajiç, një anastezisti Miroslav Veselinoviç, ndërkohë që emri i foshnjes nuk është bërë ende i ditur. Aksidenti shokoi miqtë dhe kolegët e pilotëve në Ministrinë e Mbrojtjes. I gjithë bordi u nderua si heronj vetëm pak kohë më parë, teksa kishin shpëtuar dhjetëra persona nga përmbytjet e vitit të kaluar.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç shpalli të dielën si ditë zie kombëtare, për të nderuar viktimat e aksidentit më të tmerrshëm të këtij lloji në thuajse 2 dekada.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel