Çështja “Doshi”, PD: Fatjon Skënderi mik i pushtetarëve, u largua lehtësisht në Rinas

15/03/2015 00:00

Partia Demokratike ka vijuar sërish akuzat e saj për Ilir Metën, si i përfshirë në skemën e vrasjes së deputetëve Tom Doshi e Mhill Fufi.

Në një dalje për mediat, kreu i Departamentit të Sigurisë dhe Rendit Publik në PD, Bashkim Shehu, ka publikuar të dhënat e Policisë së Shtetit, sipas të cilave rezulton se Fatjon Skënderi, personi i presupozuar si njeriu që ka kontaktuar Durim Bamin për të kryer këto vrasje, ka arritur të largohet nga Rinasi, edhe pse ndaj tij policia në date 8 shtator 2014, kishte lëshuar një urdhër ndalimin.

“Policia vetë e ka konfirmuar me anë të këtij dokumenti, që Toni i Kombinatit është përfshirë në këtë skenar të eleminimit të dy deputetëve, pasi e ka shpallur në kërkim me datën 8 shtator të vitit 2014, për akuzën e “vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë”. Ai ka kaluar lehtësisht përmes Rinasit dhe është zhdukur drejt Gjermanisë”, tha Bashkim Shehu, deputet i PD-së.

Sipas Shehut, këto ngjarje tregojnë se nuk mund të ketë hetim të besueshëm, sa kohë që ilir Meta pengon drejtësinë me anë të pushtetit që ka dhe sa kohë Edi Rama bashkëpunon në këtë skemë kriminale.

Ndërkaq, më herët gjatë ditës, Partia Demokratike ka denoncuar sipas saj një tjetër skandal, atë të përfshirjes së policisë në lirimin e një prej drejtuesve të laboratorit të drogës në Xibrakë, ditën që u bë zbulimi i këtij laboratori.

“Është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në datën 15 janar të këtij viti, pasi qeni antidrogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në çantën e tij. Por shumë shpejt ka mbërritur urdhri nga lart dhe ai është lënë i lirë. Të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se shefi kolumbian i drogës, Gilberto Sanabria Hernandez, me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës”, tha Alban Zeneli, deputet i PD.

Partia Demokratike i kërkon Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin, për lirimin e kolumbianit, pas ndalimit nga policia në kufi. Të hetojë e të zbardhë këtë ngjarje, gjë që sipas saj do të ndihmonte në zbulimin e mekanizmit dhe të kokave të vërteta të trafikut të kokainës.

Top Channel