Skenari qipriot për të shpëtuar Greqinë? Idea e Merkel për të mos lejuar “Grexit”

15/03/2015 00:00

Shqetësim dhe reagime të ndryshme ka shkaktuar në media dhe në opinionin publik në Greqi, një artikull i fundit i publikuar në revistën gjermane “Der  Spiegel”, në një moment kur qeveria greke ndodhet në gjendje alarmi për mungesën e parave në arkat e shtetit.

Sipas shkruesit të artikullit, kancelarja Merkel ka në mendjen e saj edhe një skenar tjetër të frikshëm për Greqinë, për mos e lejuar të dalë nga zona e euros. Bëhet fjalë për skenarin e provuar në Qipro para dy vitesh, kur me një vendim për vendosjen e një takse nga 6.9 deri në 9.9% mbi depozitat bankare dhe mbylljen e bankave për disa ditë, u normalizua një situata dramatike dhe u shmang falimentimi i këtij shteti.

Pas zërave se Athina ka parà vetëm për disa ditë, se nuk mund të paguajë pensionet dhe rrogat në fund të këtij muaji dhe se u gjend nga grupet e kontrollit të Brukselit një boshllëk i ri financiar prej 2 miliard euro nga viti i kaluar, kryeministri Tsipras ka qetësuar opinionin publik duke thënë se çdo pagesë do të bëhet në kohë.

Nga ana e tij, ministri  grek i Financave Varufakis, në një deklaratë të fundit ka theksuar se qeveria Tsipras ndoshta do të ngrijë përkohësisht disa prej premtimeve të saj elektorale, në mënyrë që të dalë nga gjendja e vështirë financiare në të cilën ndodhet. Ai ka deklaruar gjithashtu se ka disa rrugë për normalizimin e situatës financiare në vend, si emetimi i borxheve afatshkurtra nga BQE apo disbursimi para afatit i këstit të kredisë së ndihmës prej 7.2 mld euro.

Drejt këtyre zgjidhjeve duket se është e prirur edhe kancelarja gjermane, që nuk do të dëshironte një “Graccident”, siç po e quajnë gjithnjë e më shpesh mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona në mënyrë aksidentale, apo për mungesë likuiditeti bankar. Publikime në shtypin e huaj theksojnë se Merkel nuk do të donte një fenomen të tillë, me pasoja të pakontrollueshme ekonomike, mbi të gjitha me një destabilizim politik të Ballkanit Jugor dhe mundësi të ndryshimeve gjeopolitike në favor të Rusisë.

Ndaj, edhe pas një jave, kur në mediat gjermane e greke mbizotëron një luftë deklaratash, ku përfshihen komente të hidhura të ministrave, borxhet, dëmshpërblimet e luftës, etika, historia, etj., është përsëri revista gjermane “Der Spiegel” që, me titullin e faqes së parë “Ju lutemi, ndaloni”, u bën thirrje dy vendeve t’u japin fund retorikave, që mund të shkaktojnë dëme të pandreqshme në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe të gjejnë një zgjidhje europiane për çështjen greke.

Top Channel