Fabrika e Xibrakës, PD “zbulon” fakte të reja për kolumbianin

15/03/2015 00:00

Në një tjetër deklaratë për shtyp të Partisë Demokratike, deputeti Alban Zeneli ka publikuar faktet e pretenduara tronditëse rreth përfshirjes së zyrtarëve të lartë të policisë dhe qeverisë në fabrikën e kokainës, të zbuluar në Xibrakë të Elbasanit.

“Kolumbiani, i njohur si një nga shefat e biznesit kriminal, është ndaluar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në datën 15 janar të këtij viti, pasi qeni antidrogë ka konstatuar lëndën e dyshimtë në rrobat dhe në çantën e tij. Por shumë shpejt ka mbërritur urdhri nga lart dhe ai është lënë i lirë. Është lënë i lirë pikërisht ditën e aksionit në Xibrakë, pra më 15 janar, kur u ndaluan një pjesë e trafikantëve, ndërkohë që kolumbiani po arratisej”, ka thënë deputeti Zeneli.

Sipas tij, të dhënat e sistemit TIMS tregojnë se shefi kolumbian i drogës, Gilberto Sanabria Hernandez, me pasaportë me numër AN 870127, ka kaluar në orën 18 e 26 minuta në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Duke pretenduar se policia, bazuar mbi këtë fakt, ka pasur dijeni për aktivitetin e grupit kriminal, e dinte mirë instalimin e fabrikës së kokainës, e jo vetëm kaq, por u kishte krijuar lehtësi e u kishte dhënë mbrojtje personave të përfshirë, Zeneli, në emër të Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin për lirimin e kolumbianit, pas ndalimit nga policia në kufi.

“Të hetojë e të zbardhë këtë ngjarje të rëndë, gjë që do të ndihmonte në zbulimin e mekanizmit dhe të kokave të vërteta të trafikut të kokainës. Pse u lirua kolumbiani? Kush e dha urdhrin? Kush fshihet pas fabrikës së kokainës? Kjo ngjarje tregon se krimi ka depërtuar deri në kupolën më të lartë të policisë dhe të shtetit. Inkriminimi është tronditës”, ka vijuar më tej deputeti demokrat.

Top Channel