Tahiri: 7 vjet nga Gërdeci, ditë e zezë për drejtësinë. Përgjegjësi e Prokurorisë e gjykatave

15/03/2015 00:00

15 mars 2015, plot 7 vjet nga tragjedia e rëndë e Gërdecit, që mori jetët e 26 personave dhe la mbi 300 të tjerë të plagosur, ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Saimir Tahiri, ka ngritur zërin kundrejt drejtësisë.

“Sot është një ndër ditët më të zeza e të turpshme për drejtësinë shqiptare. Një biznes i lidhur me majën e pushtetit dhe zemrën e familjes së ish-kryeministrit shkaktoi vdekjen e shumë fëmijëve, grave dhe burrave, nga babëzia për fitim”, nis reagimi i ministrit të Brendshëm në rrjetin social të Facebook-ut, referuar ish-kryeministrit Berisha.

Më pas, Tahiri ka përmendur një për një të gjithë personat që, sipas tij, duhet të mbanin përgjegjësi, pasi deri më sot janë dhënë më pak vite dënim sesa viktima të shkaktuara.

“Ish-ministri i Mbrojtjes vijon të mos gjykohet, sepse rifitoi mandatin e deputetit, apo më saktë imunitetin. I biri i ish-kryeministrit nuk u pyet kurrë, as edhe një herë të vetme. Ish-ministri i Drejtësisë dhe një deputet tjetër, që i shërbenin ‘kopsitjes’ së letrave, nuk u pyetën kurrë gjithashtu”, shkruan Tahiri në Facebook, mbi atë që e konsideron si skandal që vazhdon, apo deri në kufijtë e mosveprimit kriminal nga drejtësia.

Duke rikujtuar se sot këta persona janë të lirë, pa e ndierë aspak peshën e drejtësisë dhe as peshën e turpit publik, Tahiri u jep përgjigje edhe atyre njerëzve që mendojnë se zbardhja e kësaj ngjarjeje është përgjegjësi e mazhorancës, kur thotë:

“Kush mendon që edhe kjo është përgjegjësi e mazhorancës, le të kuptojë se është vetëm Prokuroria dhe gjykata, që mund të veprojë për këtë çështje. Reforma në drejtësi është angazhim i mazhorancës e kjo po ndodh me shpejtësi, që të tilla gjëra të mos ndodhin kurrë më, në të ardhmen”, ka mbyllur deklaratën e tij ministri Tahiri.

Top Channel