Burrë me qira për një orë. Shërbimi i Bashkisë së Moskës për gratë “në nevojë”

15/03/2015 00:00

Keni shpenzuar shumë kohë duke u munduar për të bërë rregullime në shtëpinë tuaj, por jeni një femër e bukur, e cila nuk e përballon dot këtë fluks pune? Atëherë punësoni një bashkëshort me qira për një orë.

Ky është njoftimi i shërbimit më të ri social, që Bashkia e Moskës tashmë i ofron banorëve të saj. Një agjenci private, e cila kontrollohet nga Bashkia e kryeqytetit, ka punësuar meshkuj, të cilët me vetëm një telefonatë larg janë në dispozicion të shkojnë nëpër shtëpi, ku do të kryejnë punët tradicionale të një kryefamiljari.

Detyrat e tyre do të konsistojnë më tepër në punë krahu, shërbime teknike si ato hidraulike, elektrike apo zdrukthtarie. Shërbimi i ri ka zgjuar reagime në Moskë, e kryesisht te bashkëshortët e grave, pasi një kriter tjetër i kompanisë është që, të gjithë meshkujt e punësuar janë deri në moshën 35-vjeçare dhe në formë shumë të mirë fizike.

Por pavarësisht strategjisë së zgjedhur të marketingut, “bashkëshort me qira” është kthyer në një shërbim popullor në mesin e familjeve ruse, shërbim ky i cili është pa pagesë për familjet me të ardhura të ulëta, ndërsa për pjesën tjetër ka një tarifë fikse.

Administrata e Moskës tashmë ofron një koleksion të shërbimeve që vijnë në shtëpi, si mjek, dado, kuzhinierë, të dedikuar kryesisht për pensionistët dhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

Top Channel