Skënderbeu vazhdon ecurinë pozitive, fiton ndaj Vllaznisë

15/03/2015 00:00

Skënderbeu ka vazhduar ecurinë e rezultateve pozitive edhe në ndeshjen hapëse të javës së 27-të, e cila është e fundit e fazës së tretë, duke mposht Vllazninë 3-1 në një stadium të boshatisur pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen ndaj Tiranës.

Katër golat e këtij takimi u shënuan në pjesën e dytë, ku fillimisht ishin vendasit me Radas, i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 56-të. Megjithatë shkodranët nuk u dorëzuan duke arritur të barazojnë shifrat me Gocaj në minutën e 72-të, i cili ktheu në gol një 11-metërsh.

Pas golit të barazimit kampionët e Superligës arritën të gjenin forca dhe të rikthenin avantazhin.

Nimaga dhuroi një asist për Liridon Latifin që përfitoi nga dalja jo e mirë e Selimajt duke shënuar golin e dytë. Skënderbeu e vulosi suksesin me një gol të Sabien Lilajt, i cili preferoi të tentonte vetë një goditje parabël e cila u devijua nga Marku. 3-1 dhe kampionët e vendit vulosën një tjetër sukses me peshë që u lejon të krijojnë një distancë të madhe sigurie me ndjekësit.

Me këtë fitore Skënderbeu shkoi në kuotën e 57 pikëve, 5 më shumë se Kukësi dhe 7 pikë larg nga Tirana dhe Partizani, të cilat do t’i luajnë ndeshjet e javës së 27 ditën e nesërme. Kukësi do të ndeshjet në fushën e tij me Flamurtarin, Tirana udhëton për në Durrës, ndërsa Partizani do të luajë ndaj Elbasanit, tashmë me një këmbë në Kategorinë e Parë. 

Top Channel