Shpëtimi i pyjeve me pisha nga procesionarja

15/03/2015 00:00

Deputeti socialist Taulant Balla, së bashku me përfaqësuesin e Ministrisë së Mjedisit, ishin  në Orenjë të rrethit të Librazhdit për të parë nga afër procesin e luftimit të sëmundjes së procesionares, një sëmundje që ka dëmtuar rëndë pyjet me pisha në të gjithë vendin tonë.

Në rajonin e Elbasanit janë 1600 ha pisha të dëmtuara, nga këto 780 ha janë në Librazhd. Për zbatimin e këtij projekti janë punësuar në Librazhd rreth 600 persona me kontratë pune dhe të përfshirë në skemën e sigurimeve shoqërore, po ashtu edhe sigurimeve shëndetësore.

“Bëhet fjalë për një projekt që shpëton pyjet me pisha të Librazhdit, të Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë, nga një sëmundje siç është procesionarja. Ka dhe një dimension shumë të mirë, është dimensioni i punësimit sezonal, i cili në opinionin tim është pjesa më e rëndësishme për arsye se përmes këtij projekti, në rrethin e Librazhdit do të mbulohen rreth 780 ha pyje me pisha me një numër prej 600 punëtorësh sezonalë, të cilët jo vetëm do të trajtohen me një pagë që do të përfshijë edhe sigurimet shoqërore, por krijojnë një hapësirë sezonale punësimi të cilën unë shpresoj ta përsërisim sërish edhe në muajt nëntor dhe dhjetor”, tha Balla.

Nga ana e tyre, inxhinierët e Ministrisë së Mjedisit u shprehën se ky është një projekt që ka përfshirë katër rajone të Shqipërisë: Shkodrën, Dibrën, Elbasanin dhe Korçën, ku janë dhe sipërfaqet më të mëdha të prekura nga kjo sëmundje.

Top Channel